Indonezia dënon sulmet izraelite në Xhaminë Al-Aksa

Joko Widodo

Presidenti indonezian, Joko Widodo, dënoi të hënën dhunën e policisë izraelite kundër palestinezëve në Xhaminë Al-Aksa në qytetin e shenjtë të Kudsit, raporton Anadolu Agency (AA).

Widodo theksoi se dëbimi i civilëve palestinezë nga shtëpitë e tyre dhe përdorimi i forcës kundër tyre në Xhaminë Al-Aksa nuk mund të injorohet.

“Indonezia dënon akte të tilla dhe i bën thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së të marrë masa për shkeljet e përsëritura të kryera nga Izraeli”, tha Widodo në llogarinë e tij zyrtare në Twitter.

Widodo shtoi që Indonezia do të vazhdojë të qëndrojë me popullin e Palestinës.

Policia izraelite të hënën sulmoi Xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor të okupuar dhe sulmoi palestinezët që po bënin roje për të parandaluar hyrjen e ekstremistëve hebrenj.

Burime spitalore thanë për AA se qindra njerëz u plagosën gjatë ndërhyrjes izraelite dhe 50 prej tyre u dërguan në spitale.

Hebrenjtë ekstremistë vendosën të sulmojnë Xhaminë Al-Aksa për të festuar përvjetorin e Luftës Gjashtë Ditore të vitit 1967, kur Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, si “Dita e Kudsit” sipas kalendarit hebraik.

Organizatat ekstremiste hebraike kishin bërë thirrje për sulme në xhaminë Al-Aksa të dielën dhe të hënën për të shënuar ditën në fjalë.

Policia izraelite më pas bastisi xhaminë, duke përdorur gaz lotsjellës, plumba gome dhe granata zhurmuese në përleshjet me palestinezët, të cilët u përgjigjën duke hedhur gurë.

Grupi palestinez i rezistencës Hamas ka thënë se Izraeli po zhvillonte një “luftë fetare kundër besimtarëve palestinezë” në qytetin e pushtuar të Kudsit.

“Ajo që po ndodh në Xhaminë Al-Aksa në kohën e sulmimit dhe mësymjes të besimtarëve është prova e brutalitetit të pushtuesit Sionist”, tha Muhamed Hamadeh, zëdhënësi i lëvizjes për qytetin e Kudsit.

Ai u bëri thirrje palestinezëve që “të qëndrojnë të palëkundur dhe të parandalojnë hyrjen e kolonëve në Al-Aksa”.

Zëdhënësi i Hamas-it e konsideroi Izraelin përgjegjës për “ndërhyrjen e tyre në Xhaminë Al-Aksa”, duke thënë se: “Pushtuesit do të paguajë një çmim të rëndë”. /aa