Ballina Lajmet Kosovë Infrakos apel për siguri në hekurudhën Fushë Kosovë – Pejë, paralajmëron masa...

Infrakos apel për siguri në hekurudhën Fushë Kosovë – Pejë, paralajmëron masa për shkeljet

Ndërmarrja publike “Infrakos” Sh.A ka njoftuar qytetarët, operatorët ekonomikë dhe të gjitha palët e interesit për respektimin e rregullave të sigurisë përgjatë linjës hekurudhore Fushë Kosovë – Pejë.

Sipas njoftimit, në vendkalimet hekurudhore janë instaluar laura automatike me sistem sensorësh, të cilat kanë për qëllim garantimin e sigurisë në trafikun hekurudhor dhe atë rrugor.

“Infrakos Sh.A njofton qytetarët, operatorët ekonomikë dhe të gjitha palët e interesit se në linjën hekurudhore Fushë Kosovë – Pejë janë të instaluara laura automatike në vendkalimet hekurudhore, të cilat funksionojnë përmes një sistemi automatik të sensorëve dhe kanë për qëllim garantimin e sigurisë së trafikut hekurudhor dhe atij rrugor”, thuhet në njoftim.

Në këtë drejtim, Infrakos u ka bërë thirrje të gjithë përdoruesve të rrugëve dhe operatorëve të makinerive punuese që të respektojnë brezin e sigurisë pranë hekurudhës dhe të mos afrohen më pak se 3 metra nga trupi i binarit, përveç rasteve të autorizuara.

“Respektimi i kësaj distance është i domosdoshëm për funksionimin e sigurt dhe të pandërprerë të sistemit automatik të vendkalimeve hekurudhore, si dhe për garantimin e sigurisë së trafikut hekurudhor dhe atij rrugor”, theksohet më tej.

Ndërmarrja paralajmëron se çdo shkelje e brezit të sigurisë do të monitorohet përmes kamerave dhe do të trajtohet sipas legjislacionit në fuqi, përfshirë raportimin tek organet kompetente.

“Çdo mosrespektim i brezit të sigurisë pranë infrastrukturës hekurudhore do të monitorohet përmes sistemit të kamerave dhe në rast të konstatimit të shkeljeve, do të ndërmerren veprimet përkatëse në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke përfshirë edhe raportimin e rasteve te organet kompetente”, thuhet në njoftim.

Në fund, Infrakos thekson se siguria në hekurudhë është përgjegjësi e përbashkët dhe se bashkëpunimi i qytetarëve është thelbësor për mbrojtjen e jetës dhe zhvillimin e sigurt të trafikut hekurudhor.

“Siguria në hekurudhë është përgjegjësi e përbashkët. Me bashkëpunimin dhe kujdesin e secilit, kontribuojmë në mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe në zhvillimin e sigurt e të pandërprerë të trafikut hekurudhor”, thuhet në fund të njoftimit të Zyres për Informim Publik të Infrakos.