Inkoherenca e Filozofëve (Tehafutul Felasife)

Mehmet Kalisi

“Inkoherenca e filozofëve”, është një ndër librat më të shquara të dijetarit të njohur El-Gazaliut, në fushën e filozofisë. El Gazaliu (1058-1111) ishte një mendimtar dhe filozof i shquar islam nga epoka mesjetare. Ai konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme në historinë intelektuale islame. Veprat e tij, patën ndikim të rëndësishëm në fushat e filozofisë ( el felsefe), teologjisë (el kelam) ligjit – teorisë së ligjit (fikh – usul fikh) dhe misticizmit (tesavuf).

El Gazali ishte një polimat që shkroi për një gamë të gjerë temash. Ai është më i njohur për veprën e tij filozofike “Inkoherenca e filozofëve”, në të cilën kundërshtoi idetë metafizike të filozofëve aristotelianë të kohës së tij, siç ishte Ibn Sina.

Këtë vepër, disa e konsideruan si një goditje ndaj asaj që e përshkruan si arrogancën e filozofëve dhe pretendimeve të tyre, të cilët mëtonin për të arritur të vërtetën në çështjet e padukshmes me mendjet e tyre. El Gazaliu, përpjekjen e filozofëve për të kuptuar diçka që nuk është e perceptueshme me shqisat njerëzore, në radhë të parë e sheh si diçka e cila bie ndesh me vet konceptin e filozofisë. Pra, El Gazaliu nuk kishte problem me mendjen (el akl), as me filozofinë e filozofët. Ai kundërshtonte metodologjinë e përdorur nga disa filozofë vetëm në çështjet metafizike, por gjithmonë duke e vendosur mendjen (el akl) në qendër si autoritet epistemik të njohjes. El Gazaliu, po aq sa ishte kritik ndaj disa ideve filozofike, në disa nga shënimet dhe veprat e tij, vërejmë se edhe për Kelamin (Apologjetikën) ishte kritik dhe nuk kishte respekt shumë të lartë për të (McCarthy,1980). Gjithashtu, vlen të përmendet se Ibn Rushdi është mjaft i ndikuar nga idetë e filozofisë së El Gazalit, nga vet fakti se ai ka shkruar dy veprat e tij monumentale në filozofi, “Inkoherenca e Inkoherences”( Trhafutu Et-Tehafut) dhe Traktatin ‘Faslul Mekal”, pikërisht disa dekada pas vdekjes së El Gazalit, duke shprehur mospajtime me idetë filozofike të el Gazalit. Por edhe pas Ibn Rushdit kemi numër të konsiderueshëm të dijetarëve nga fusha e filozofisë në botën islame, siç janë; Ibn Ṭufail, Hasan el-Tusi, Fahr el-Din el-Razi, Ibrahim Nisaburi, Omar Hayami, Ibn Rushd, Ibn Haldun, Mulla Sadra e shumë të tjerë.

El Gazaliu ishte filozof apo teolog!?

Ka ekzistuar mendimi nëse El Gazaliu e kishte me prioritet filozofinë apo teologjinë. Nëse i referohemi Enciklopedisë Filozofike të Stenford :” El Gazali ishte një nga filozofët, teologët, juristët dhe mistikët më të shquar dhe më me ndikim të Islamit Sunit”. Ndërsa, Richard Frank mendon, që el-Gazali – nuk ishte esh‘arit (kelamist), ose së paku ai ishte më pak Esh‘arij sesa besohej më parë; dhe së dyti, ai ishte më shumë një filozof sesa mendohej më parë, dhe në këtë aspekt Ibn Sina (Avicena) ishte një nga mentorët e tij më të rëndësishëm (Frank, 1994). El Gazali është gjithashtu i njohur për kontributin e tij në misticizmin islam (sufizëm), i cili theksoi rëndësinë e pastrimit shpirtëror dhe arritjes së një përjetimi të drejtpërdrejtë të Zotit. Vepra e tij “Rigjallërimi e Shkencave Fetare” (Ihjau Ulumu Ed din) është një udhëzues gjithëpërfshirës për spiritualitetin dhe etikën islame dhe mbetet një tekst shumë me ndikim në traditën intelektuale islame.

A ishte el Gazali kundër mendjes dhe kundër argumentimit logjik!?

Sipas Akitit (2009), për El Gazalin, argumenti (burhan) dhe jo teologjia (kelam) është ajo, që ai e konsideronte si njohuri shkencore, si një “standard i artë” në artin e arsyetimit. Këtë gjykim el-Gazaliu e kishte shpjeguar në librin e tij, “Normat e shkencës” (Mi’yar el-Ilm). Nishitani Akira, një filozof japonez që shkroi gjerësisht mbi filozofinë e fesë, duke përfshirë mendimin islam, në librin e tij “Religjioni dhe asgjëja”, diskuton pikëpamjet e El Gazaliut mbi marrëdhëniet ndërmjet arsyes dhe besimit.
Ai argumenton se kritika e El Gazaliut ndaj filozofisë racionale nuk ishte një refuzim i vetë arsyes, por një refuzim i idesë se arsyeja vetëm, mund të sigurojë një kuptim të plotë të realitetit ( Akira, 1958).

Nga vjen kjo mos njohje ose keq interpretim për el Gazalin!?

Ignac Goldziher, një orientalist i shquar hebre me origjinë hungareze, ishte kritik për disa nga pikëpamjet e El Gazaliut, veçanërisht për refuzimin e filozofisë racionale dhe mbështetjen e tij mbi misticizmin dhe përvojën fetare. Goldziher argumentoi se refuzimi i filozofisë racionale nga El Gazaliu dhe dhënia prioritet përvojës mistike nga ana e tij, kishte një ndikim negativ në kulturën intelektuale islame, duke çuar në rënie të mendimit shkencor dhe filozofik, sa që kritika në Inkoherencën e tij, ishte thjesht një grusht shteti për një traditë tashmë të sëmurë Goldziher (1901). Sipas Griffil (2009), Goldziher ishte mësuesi më me ndikim në periudhën formuese të studimeve islame në Perëndim, dhe deklarata të shumta të një lloji të ngjashëm shfaqen atje gjatë shekullit të njëzetë.

Me pikëpamjet e Goldziherit, nuk pajtohet Shlomo Pines. Ai vuri në dukje se është një përgjithësim i përhapur, por i nxituar dhe i pasaktë të supozohet se polemika e El Gazaliut i dha një goditje vdekjeprurëse filozofisë në Islam. Sipas mendimit të Pines, nuk pati rënie të shkencave racionale dhe të filozofisë pas El Gazaliut ( Pines, 1937). Në Islam nuk mungonin idetë e reja, shkroi Pines, megjithëse tendenca për të ruajtur sistemet e vjetra të mendimit dhe stabiliteti i mjedisit shkencor çoi në një zhvillim më gradual të ideve sesa në Evropë. Henry Corbin, në Historinë e tij të Filozofisë Islame, hodhi poshtë pikëpamjen se filozofia tek muslimanët mori fund pas Ibn Rushdit, për më tepër ai pohon se një veprimtari e gjallë filozofike vazhdoi sidomos në botën lindore muslimane (Corbin, 1993).

Arsye tjetër e keqinterpretimit të mendimeve të El Gazaliut sipas Griffil, qëndron në faktin se, literatura në gjuhën angleze nuk përfaqëson në mënyrë adekuate burime kyçe shtesë për jetën dhe veprën e tij, siç janë raportet nga studentët e tij dhe koleksioni i letrave të tij persiane. Këto burime shtesë u bënë të disponueshme gjatë mesit të shekullit të njëzetë dhe ato përmbajnë një mori informacionesh që zgjidhin shumë paqartësi të mbetura rreth kronologjisë së veprimeve dhe vendndodhjes së El Gazaliut.

Gjithashtu, Frank Griffil në një intervistë të tij, konstaton se mosnjohja e ideve të El Gazaliut vjen nga fakti se disa i lexojnë librat e tij vetëm në fund, disa në mes, dhe disa të tjerë vetëm në fillim e ca të tjerë fare. Sipas Griffilit ata kryesisht mjaftohen duke u mbështetur në interpretime dhe lexime të të tjerëve. Në lindje e perëndim El Gazaliu njihet si filozof parexellance, po si mund të jetë ndryshe. Duke u mbështetur në mendimin e Griffilit, mund të thuhet se El Gazaliu duhet të lexohet në origjinal ose së paku në përkthime të dorës së parë. Ndryshe, përkthimet e përkthimeve të tij sado që janë të mirëseardhura ato janë jo të plota.
Përgjithësimet e thjeshta kur bëhet fjalë për mendje të tilla si El Gazaliu nuk janë aq të dobishme. Vetëm studimet e mirëfillta, të dendura të konstektualizuara janë të dobishme dhe me vlerë shkencore. Dikur i akuzuar se i dha fund filozofisë dhe shkencës në qytetërimin islam, El Gazaliu tani shihet si një mendimtar brilant, një kritik i mprehtë dhe jo një fanatik memec. Leximi nga afër i veprës së tij, zbulon se ai nuk ishte aspak armiqësor ndaj filozofisë sa mendohej dikur; dhe rënia për të cilën ai u fajësua dikur, shihet të jetë një konstrukt i injorancës dhe paragjykimit ( Akiti,2009; Griffel, 2009; Langermann, 2018).

Nga: Mehmet Kalisi