Institucionet presin që sistemi i mbikëqyrjes elektronike do të parandalojë rastet e dhunës në familje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se sistemi i hallkave për mbikëqyre elektronike do të ndihmojë në zvogëlimin e rasteve të dhunës në familje.

Pas lanësimit të këtij projekti që u bë të martën në drejtorinë e përgjithshme të Policisë së Kosovës, Kurti tha se problemet më të mëdha janë për shkak të mo respektimit të urdhrit mbrojtës.

“Problemet më të mëdha i kemi për shkak se nuk respektohen urdhrat mbrojtës. Defekti nuk është mungesa e hallkave për monitorim elektronik, por mos respektimi i urdhrave mbrojtëse. Kjo do ta reduktoj jashtëzakonisht shumë dhunën në familje”, tha Kurti në deklarimin për media pas prezantimit të projektit.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se ky është një ndër projektet e shumta që kanë marrë dhe më i rëndësishmi për mbrojtjen e jetës së grave dhe vajzave.

“Kjo është një ndër projektet më të rëndësishme për të mbrojtur jetën dhe dinjitetin e vajzave dhe grave në Kosovë. Dhuna në familje nuk është çështje private është përgjegjësi e institucioneve dhe në këtë rast presim veprime serioze sidomos nga Prokuroria dhe Gjykata. Dënimet e ulëta dhe veprimet me lëshim në procedurë të rregull nga Prokuroria i inkurajon dhunuesit në mënyrë që shteti pra me këto veprime, institucionet e drejtësisë, dhunuesit po i shndërrojnë në vrasës”, tha Haxhiu.

Kurse ministri i Mbrotjes, Xhelal Sveçla tha se lanësimi i këtij projekti është një sukses i Policisë së Kosovës për parandalimin e dhunës ndaj vajzave dhe grave. Ai tha se ky sistem do të përdoret edhe raste të tjera të veprave penale.

“Ky është edhe një sukses i Policisë së Kosovës drejt asaj që të parandalohet dhuna ndaj vajzave dhe grave dhe jo vetëm. Do të përdoret edhe për vepra penale, por primare është parandalimi i dhunës ndaj vajzave dhe grave. Ky projekt do të ndihmojë në parandalimin e rasteve të dhunës”, tha ai.

Qeveria ka ndarë 600 mijë euro për blerjen e byzylykëve elektronik.