Ballina Lajmet Kosovë Instituti Hidrometeorologjik: Reshje intensive ditën e hënë, shmangni udhëtimet e panevojshme

Instituti Hidrometeorologjik: Reshje intensive ditën e hënë, shmangni udhëtimet e panevojshme

Gjatë javës së ardhshme në Kosovë pritet të mbajë mot i ndryshueshëm, kryesisht i vranët dhe i shoqëruar me reshje shiu.

Sipas parashikimeve meteorologjike nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, reshjet më intensive priten ditën e hënë, lokalisht me intensitet mesatar deri të lartë.

Autoritetet rekomandojnë kujdes të shtuar në komunikacion, veçanërisht në zonat urbane dhe ato me rrezik për grumbullim të ujit në rrugë.

“Sugjerim për popullatën: Të hënën shmangni udhëtimet e panevojshme gjatë reshjeve intensive. Përshtatni shpejtësinë me kushtet e rrugës. Tregoni kujdes të shtuar në zonat me mjegull gjatë mesjavës”, thuhet në njoftimin e institutit.

Temperaturat minimale gjatë javës do të lëvizin nga -1 deri në 5 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 6 deri në 10 gradë Celsius.

Të mërkurën parashikohen kushte për mjegull në disa zona, kryesisht në viset mesatare, lugina dhe përgjatë relievit malor, çka mund të zvogëlojë dukshmërinë në orët e mëngjesit.

Era do të fryjë nga drejtime të ndryshme, me shpejtësi deri në 5 m/s.