Një ide e refuzuar pas reflektimit
Dhjetë vjet më parë më lindi një ide që atëherë m’u duk e shkëlqyer: një projekt që e quajta “Investimi në banalitet”. Pyetja që më shtynte ishte: Pse të mos kërkojmë një grup prej atyre njerëzve banalë, që kanë ndikim të madh tek masat, dhe t’u japim mesazhe të larta mendimi, duke u kërkuar t’i shpërndajnë brenda përmbajtjes së tyre sipërfaqësore që tërheq zemrat dhe mendjet pa rezistencë?
Më dukej si një depërtim i butë në murin e harresës: ideja e thellë e mbështjellë me një paketim të thjeshtë.
Por, pas një shqyrtimi të gjatë, duke peshuar interesat dhe dëmet, e lashë mënjanë. U binda se banaliteti, edhe nëse duket i dobishëm në afat të shkurtër, është një katastrofë strategjike.
Rreziku i normalizimit me banalitetin
Rreziku më i madh i “investimit në banalitet” është normalizimi me të dhe shndërrimi i tij në dukuri të pranueshme, madje të dëshirueshme në ndërgjegjen kolektive.
Kur e përdorim si mjet për të mirën, në pavetëdije i japim një “certifikatë pafajësie” dhe e fusim në sferën e ligjshmërisë kulturore. Me përsëritjen, ai shndërrohet nga sjellje kalimtare individuale në sistem shoqëror të pranuar, mbi të cilin maten vlerat, ndërtohen marrëdhëniet dhe legjitimohet e drejta për të dalë në krye.
Në atë moment, nuk jemi më duke investuar në banalitet, por kemi lejuar që banaliteti të investojë në ne, duke e rrënjosur veten në ndërgjegjen e umetit dhe duke e kthyer shoqërinë në një arenë të qeverisur nga standarde të zbrazëta.
Ky është rreziku i madh: banaliteti të shndërrohet nga mjet i refuzuar në infrastrukturë kulturore, e justifikuar me pretekstin e interesit, por që në të vërtetë gërryen çdo kuptim të lartë, derisa gjeneratat të rriten duke e parë banalitetin si normalitet, madje si kriter të suksesit.
Banaliteti si armë pushteti dhe tregu
Rreziku nuk kufizohet tek individi banal, por shfaqet kur banaliteti kthehet në instrument pushteti.
Kur regjimet përballen me fjalën e ndërgjegjshme, e cila ngre pyetje të mëdha dhe vë në siklet diskursin zyrtar, ato kërkojnë rrugë të tjera për të kontrolluar opinionin publik.
Këtu hyjnë në lojë banalët, si mjete të buta për të ulur tensionin dhe për të shpërndarë pyetjet. Qoftë në sisteme autokratike që duan të përjetësojnë sundimin, qoftë në sisteme që mendojnë se i shërbejnë shoqërisë përmes “argëtimit pozitiv”, rezultati është i njëjtë: banaliteti shfrytëzohet si mekanizëm për të menaxhuar vetëdijen.
Banalët depërtojnë lehtësisht në çdo shtëpi, pushtojnë ndjenjat me të qeshura e lojë, duke i kthyer çështjet madhore në skena kalimtare që treten në lumin e argëtimit. Pushteti e di se kontrolli nuk fitohet vetëm me forcë të zhveshur, por me riformësimin e vetëdijes, dhe banaliteti është skena më e përshtatshme për këtë proces.
Kështu, politika shndërrohet në spektakël; çështjet madhore trajtohen si lojë, dhe ndjeshmëria e publikut zbehet.
Njerëzit mësohen ta shohin realitetin si shfaqje dhe problemet e mëdha si të padenja për seriozitet.
Por nuk është vetëm pushteti: me banalitetin bashkohet edhe tregu. Ekonomia ka nevojë për konsum të pafund, dhe banalët bëhen “bariu” i turmave konsumatore. Ata lidhin mallin me imazhin, produktin me modën, duke e kthyer shoqërinë në një treg gjigant pa shpirt.
Në këtë aleancë, të gjithë duken sikur fitojnë: banali shton famë dhe pasuri, tregtari shumëfishon fitimet, publiku mendon se po argëtohet. Por ky është fitim i çastit që fsheh një humbje strategjike: zbrazjen e njeriut nga kuptimi dhe shndërrimin e shoqërisë në një treg të madh pa shpirt.
Nga fitimi i çastit në kolapsin e ngadaltë
Në planin afatshkurtër, banaliteti duket i dobishëm: i sjell pushtetit qetësi, tregut konsum të vazhdueshëm dhe reformatorëve iluzionin e një rruge të lehtë për të shpërndarë vlera.
Por në planin afatgjatë, banaliteti rrit një gjeneratë sipërfaqësore, të mësuar me moskokëçarje, duke e bërë shoqërinë të prekshme ndaj formave të reja të skllavërisë moderne: skllavëria e imazhit, e modës, e trendeve kalimtare. Kjo nënshtron njeriun ndaj pamjes dhe tregut, duke e larguar nga mendimi i lirë dhe vlerat e qëndrueshme.
Në fund, banaliteti nuk i shërben mesazhit. Ai e zbraz atë nga përmbajtja dhe e nënshtrohet logjikës së tregut. Ajo që duket si fitim i shpejtë është në fakt humbje strategjike e pakompensueshme.
Rruga e rezistencës ndaj banalitetit
E kuptova që atëherë: mesazhi nuk ka nevojë për banalitetin për të arritur, sepse ai në vetvete është dritë që imponon praninë e tij, më fisnik se sa të fshihet pas maskës së banalitetit.
Beteja nuk është të shesim kuptimin në një treg të nënshtruar nga logjika e argëtimit dhe konsumit, por të ndërtojmë një vetëdije të pjekur që e njeh banalitetin, e refuzon dhe shpik alternativa që e çlirojnë njeriun nga sundimi i pamjes drejt lirisë së idesë, nga robëria e trendit drejt horizontit të mesazhit.
Ky është sfida më e madhe: të ruajmë pastërtinë e mesazhit, ta mbajmë të pathyeshëm ndaj joshjes së rrugëve të lehta, dhe të rrisim një gjeneratë që e sheh banalitetin si sëmundje për t’u kapërcyer, jo si mjet legjitim për t’u përdorur.
Vetëm atëherë do të ndodhë çlirimi i mendimit, dhe umeti do të ngrihet mbi bazën e vetëdijes së thellë, jo mbi argëtimin kalimtar. Sepse historia nuk u shkrua kurrë nga banalët, por nga fjalët e vërteta që sfiduan realitetin dhe idetë e thella që bartën gjeneratat nga koha e brishtësisë në horizontin e pavdekësisë.
Muhamed Khayr Musa








