Irak, protestuesit sulmojnë shtëpitë e deputetëve në një provincë

Protestuesit në Irak kanë sulmuar shtëpitë e zyrtarëve qeveritarë dhe ligjvënësve në provincën jugore Dhi Qar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Protestuesit ua kanë vënë zjarrin shtëpive të dy deputetëve shiit nga provinca, njoftojnë burime nga policia që flasin në kushte anonimiteti pasi nuk janë të autorizuar për t’u prononcuar në media.

Burimet e njëjta thonë se protestuesit e zemëruar gjithashtu kanë tentuar që të sulmojnë shtëpinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Kabinetit, Hamid al-Ghazi në qytetin e Shatrah.

Sipas burimeve, 8 persona janë plagosur kur forcat e policisë hapën zjarr për t’i larguar protestuesit.

Që nga e premtja, Iraku është përfshirë nga protestat masive kundër korrupsionit dhe mungesës së shërbimeve themelore, duke lënë më shumë se 80 persona të vdekur dhe mijëra të plagosur.

Vala e parë e protestave filloi në fillim të tetorit dhe në këto protesta humbën jetën 149 protestues dhe 8 persona nga forcat e sigurisë.

Viteve të fundit në Irak është shfaqur një revoltë nga shkaku i rritjes së papunësisë dhe korrupsionit. Shumë njerëz në vend kanë qasje të kufizuar në shërbimet themelore, si në energjinë elektrike dhe ujin e pastër.

Sipas shifrave të Bankës Botërore, papunësia e të rinjve në Irak është rreth 25 për qind, ndërkohë sipas disa organizatave të transparencës Iraku renditet në vendin e 12-të si më i korruptuari në botë.