Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Irakut, Ahmed Al-Sahhaf, është shprehur se marrëdhëniet Bagdad-Ankara janë zhvilluar në të gjitha fushat dhe se dëshirojnë që bashkëpunimi të rritet edhe në të ardhmen në ekonomi, zhvillim dhe luftën kundër terrorizmit.
Al-Sahhaf bëri deklarata për Anadolu lidhur me ecurinë dhe pritshmëritë në marrëdhëniet Irak-Türkiye, në periudhën e re të formuar pas zgjedhjeve në Turqi.
Duke u shprehur se janë të kënaqur nga rizgjedhja e Presidentit Recep Tayyip Erdoğan, Al-Sahhaf tha se “Marrëdhëniet mes Bagdadit dhe Ankarasë zhvillohen në të gjitha fushat. Fitorja sërish e Presidentit Erdoğan tregon vullnetin e popullit turk”.
– “Rritet vëllimi tregtar mes dy vendeve”
Politika e jashtme e Irakut bazohet në “respektimin e vullnetit të popujve”, tha Al-Sahhaf, i cili shtoi se “Mirëpresim vendimin e popullit fqinj dhe vëlla turk në këtë drejtim”.
Ndërsa në lidhje me pritshmëritë për marrëdhëniet mes dy vendeve në të ardhmen, Al-Sahhaf deklaroi: “Ne jemi pro që edhe në periudhën e re marrëdhëniet tona të avancojnë në bazë të dialogut të përbashkët në të gjithë fushat si ekonomia, zhvillimi, uji dhe lufta kundër terrorizmit dhe dëshirojmë që bashkëpunimi ynë të rritet. Edhe vëllimi tregtar mes dy vendeve po rritet. Çdo dialog që do të bëhet shkas për afrimin mes dy vendeve është i rëndësishëm. Si Irak ne vlerësojmë të gjitha mundësitë për marrëdhënie të balancuara dhe të qëndrueshme dhe për interesin e popujve të të dy vendeve”.








