Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei deklaroi se kancelari gjerman Friedrich Merz po u bën presion vendeve të tjera evropiane që të mbajnë qëndrim kundër Teheranit lidhur me sulmet SHBA-Izrael, transmeton Anadolu.
Lidhur me çështjen, Baghaei bëri një deklaratë nga llogaria e tij në platformën e mediave sociale të kompanisë amerikane X. Ai tha se Bashkimi Evropian (BE) dhe tre vende evropiane (Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania) dikur luanin rol qendror në diplomacinë ndërkombëtare, duke kontribuar në formimin e Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA) në vitin 2015, por se presidenti i SHBA-së, Donald Trump “e eliminoi” këtë marrëveshje.
“BE-ja tani është nën presion nga kancelari gjerman. Disa shtete anëtare të BE-së rrezikojnë të jenë në anën e gabuar të historisë duke u bërë bashkëpunëtorë në veprimet agresive dhe krimet e luftës të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit”, shtoi Baghaei.
Ai theksoi se BE-ja duhet të refuzojë çdo mirëkuptim që të kujton “epokën naziste” dhe në vend të kësaj të mbështesë angazhimin e saj ndaj “ligjit ndërkombëtar” dhe “drejtësisë”.
Gjatë vizitës së tij të fundit në Washington, kancelari gjermane Merz në një takim me presidentin amerikan Trump në Zyrën Ovale, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me çështjen iraniane, duke theksuar mbështetjen e Gjermanisë për SHBA-në dhe Izraelin.
“Ne jemi në të njëjtën linjë me SHBA-në për të shpëtuar nga regjimi i tmerrshëm terrorist në Teheran. Sot do të diskutojmë edhe për planifikimin pas luftës”, potencoi Merz.




