Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Saeed Khatibzadeh, tha se negociatat me Arabinë Saudite do të vazhdojnë nën pritjen e Irakut, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë javore për shtyp në ndërtesën e Ministrisë së Jashtme në Teheran, Khatibzadeh bëri deklarata lidhur me bisedimet me Arabinë Saudite dhe negociatat bërthamore.
“Në rendin e ditës është që të mbahet raundi i ardhshëm negociatave mes Iranit dhe Arabisë Saudite. Iraku do të jetë vendi pritës i këtyre bisedimeve”, tha Khatibzadeh.
Ai theksoi se Arabia Saudite dhe delegacionet e vendeve të tjera vajtën në Vjenë për bisedime dypalëshe në kuadrin e interesave të tyre kombëtare dhe se këto janë bisedime të ngjashme me ato kur u nënshkrua marrëveshja mbi programin bërthamor në vitin 2015.
“Nuk jemi të kënaqur nga ritmi i përparimit të negociatave në Vjenë”
Ndërsa në lidhje me negociatat mbi programin bërthamor që vazhdojnë në Vjenë, Khatibzadeh deklaroi se: “Nuk pranojmë asnjë afat artificial dhe nuk jemi të kënaqur nga ritmi i përparimit të negociatave. Pala përballë shpenzoi shumë kohë në raundin e 7-të dhe më pas pranuan të negociojnë mbi propozimet e Iranit”.
“Nuk jemi në pikën për të njohur zyrtarisht talebanët”
Khatibzadeh foli edhe për vizitën në Teheran që delegacioni i talebanëve filloi një ditë më parë.
Ai vuri në dukje se dje ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amir-Abdollahian, zhvilloi një takim me delegacionin e talebanëve dhe se ky takim ka kaluar i frytshëm dhe pozitiv. “Nuk jemi në pikën për të njohur zyrtarisht talebanët”, shtoi më tej Khatibzadeh. /aa



