Irani sekuestron një cisternë të huaj për kontrabandë karburanti në Detin e Omanit

Autoritetet iraniane kanë sekuestruar një cisternë të huaj nafte që transportonte mbi 2 milionë litra karburant, duke e akuzuar atë për kontrabandë, transmeton Anadolu.

Siç raporton agjencia shtetërore e lajmeve IRNA, kreu i gjyqësorit për provincën jugore iraniane Hormozgan, Mojtaba Ghahremani, tha se anija u kap në Detin e Omanit për shkak “të mungesave në dokumentacionin ligjor lidhur me ngarkesën e anijes” dhe u akuzua për transport të karburantit të kontrabanduar.

Kombësia dhe destinacioni i synuar i anijes nuk janë zbuluar deri më tani.

Ghahremani njoftoi se 17 persona, përfshirë kapitenin dhe ekuipazhin, janë në paraburgim si pjesë e hetimit.

Ai shtoi se autoritetet po vazhdojnë të mbledhin prova, të verifikojnë dokumentet, të testojnë karburantin dhe të konfirmojnë vëllimin e ngarkesës.

Gjyqësori planifikon të shpallë rezultatet e hetimit sapo të përfundojë.