Ish-presidenti kroat: BE nuk është e plotë pa Ballkanin dhe Turqine

Ish-presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviç, ka deklaruar se Bashkimi Evropian (BE) do të duhet të shtrihet nga Londra deri në lindje me Turqinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një fjalim të tij në sesionin “E ardhmja e Evropës”, që ishte organizuar në kuadër të Samitit të 7-të për ekonomi “Uludağ” në Bursa, Josipoviç tha se, “Evropa nuk është e plotë pa Serbinë, Bosnje e Hercegovinën, Maqedoninë dhe të gjitha vendet e tjera, përfshirë Turqinë”.

Sipas tij, BE-ja do të duhet të pyes veten nëse dëshiron të zgjerohet ose të ndërtojë pengesa në kufijtë e saj. Ai shtoi se edhe shtetet tjera të dala nga ish Jugosllavia duhet të anëtarësohen në BE.

“Njerëzit zakonisht harrojnë se BE-ja nuk është paramenduar si një projekt ekonomik, por i njëjti ishte një projekt paqeje përmes veglave ekonomike”, tha ai.

Ai e quajti Turqinë një anije të madhe, ndërsa vendin e tij, Kroacinë, një varkë të vogël.

“Turqia është vërtetë një gjigant nga shkaku i ekonomisë, ushtrisë, shkencës, arsimit dhe shëndetësisë që ka”, tha Josipoviç, duke shtuar se nga këtu Turqia e ka më të vështirë adaptimin në disa nga kërkesat që ka BE-ja, krahasuar me shtetet e vogla siç është Kroacia.

“Kroacia është shtet i vogël dhe i përqëndruar në problemet e veta, ndërsa Turqia ka ambicie globale dhe kjo ka një ndikim të madh në vend”, tha ai.

Samiti dy-ditor ekonomik në Bursë ka bashkuar 1.200 biznesmenë me ndikim ekonomik nga e mbarë bota.