Ish-shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian(BE), Josep Borrell, kundërshtoi të mërkurën sugjerimet se rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla po bëhet i vjetëruar, duke theksuar se e drejta ndërkombëtare mbetet e detyrueshme sipas traktateve të BE-së, transmeton Anadolu.
“E drejta ndërkombëtare, e cila përfshin ndalimin e përdorimit të forcës për të zgjidhur mosmarrëveshjet ndërkombëtare, është një pjesë integrale dhe e detyrueshme e Traktateve të BE-së”, shkroi ai në platfoırmën e kompanisë amerikane të mediave sociale X.
“‘Skadimi’ i saj nuk mund të dekretohet nga askush në një fjalim”, theksoi ai. Borrell i kërkoi çdo institucioni të BE-së të punojë “në përputhje me kompetencën e tij përkatëse”.
Komentet e tij erdhën pas vërejtjeve të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila tha të hënën se Evropa nuk mund të veprojë më si një “kujdestare e rendit të vjetër botëror”.
Duke folur në konferencën vjetore të ambasadorëve të BE-së në Bruksel, von der Leyen paralajmëroi se rendi tradicional botëror po gërryhet me shpejtësi për shkak të shkeljeve të përsëritura të së drejtës ndërkombëtare.
“Ne gjithmonë do ta mbrojmë dhe mbështesim sistemin e bazuar në rregulla që ndihmuam të ndërtohej me aleatët tanë”, tha ajo, megjithatë, duke shtuar se Evropa “nuk mund të mbështetet më tek ajo” si mjeti i vetëm për të mbrojtur interesat e saj mes “kërcënimeve komplekse” me të cilat përballet.
Shefeja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, paralajmëroi gjithashtu se pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka përshpejtuar “gërryerjen e së drejtës ndërkombëtare”.
Debati vjen ndërsa sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit intensifikojnë tensionet.


