Radioja Ushtarake izraelite ka publikuar një video të pazakontë ku 11 ish-zyrtarë të lartë ushtarakë dhe të sigurisë i bëjnë thirrje qeverisë që të ndalë menjëherë luftën në Gaza, duke paralajmëruar se Izraeli po humbet më shumë sesa po fiton.
Mes tyre janë ish-shefa të shtabit, ish-drejtues të Mossad-it, Shabak-ut (Shin Bet) dhe inteligjencës ushtarake, të cilët thonë se vendi ndodhet “në agimin e humbjes”, ndërsa mbrojtja legjitime është shndërruar në një bllokadë strategjike.
Ata theksojnë se ushtria është “ngjitur” në Gaza, me rrezik që të humbasë edhe ato arritje që ka bërë. Operacioni i fundit ushtarak “Qerret e Gideonit” nuk ka sjellë rezultate konkrete, ndërsa kostot janë të larta dhe nuk ka përparim në lirimin e pengjeve.
Sipas tyre, qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu po vepron sipas një “vizioni fetar ekstremist” dhe duhet ta përfundojë luftën për të “shpëtuar atë që mund të shpëtohet”.








