Islami erdhi me një revolucion intelektual dhe qytetërues, që lufton errësirat e injorancës dhe analfabetizmit, përhap dijen dhe njohuritë, dhe e nderon arsimin dhe mësuesin. Ky analfabetizëm nuk është thjesht paaftësi për të lexuar e shkruar, por është privim nga drita e të kuptuarit dhe nga vetëdija me të cilën ndërtohen kombet dhe ngrihen qytetërimet.
Islami erdhi te arabët në një kohë kur rrallëkush njihte shkrimin ose përdorte letrën; megjithatë, e bëri fjalën mrekullinë e parë dhe leximin detyrimin e parë. Kështu, fjala e parë që zbriti nga shpallja hyjnore ishte një urdhër i qartë e i prerë: “Lexo”. Me këtë fjalë filloi një ringjallje e madhe njerëzore që ndryshoi faqen e historisë.
Arabët para Islamit jetonin sipas natyrës së tyre të parë: shumica nuk dinte të shkruante e as të lexonte, por mbështetej në dëgjim, memorie dhe transmetim. Në të gjithë Gadishullin Arabik – siç tregojnë transmetimet – nuk kishte më shumë se shtatëmbëdhjetë burra që dinin shkrim. Megjithatë, Islami nuk e përçmoi këtë fillim modest; përkundrazi, e shndërroi në themel të një revolucioni njohurish që u shtri nga Meka në Andaluzí dhe nga Medina në Samarkand. Pejgamberi (a.s) e shihte dijen si shpëtimin e umetit. Kur u zunë rob disa burra nga Kurejshët në Ditën e Bedrit, ai nuk e bëri shpërblimin e tyre pasuri, por dije: secili rob që dinte diçka duhej t’u mësonte dhjetë fëmijëve muslimanë leximin dhe shkrimin. Me këtë veprim themelor u vendos guri i parë i një ndërtese kulturore gjithëpërfshirëse që zgjati shekuj me radhë.
Shkrimi u përhap shpejt ndër arabë dhe leximi u bë i zakonshëm në çdo vend që muslimanët e çlironin. Nuk kaloi asnjë shekull nga agimi i Islamit dhe në tokat islame numri i lexuesve dhe shkruesve e tejkaloi numrin e analfabetëve. Madje, në Andaluzí – siç përcillet – kishte gra e burra që dinin lexim e shkrim më shumë sesa në të gjitha shtetet e Evropës së asaj kohe. Arsimi, pra, në Islam ishte një mision i përgjithshëm: nuk kufizohej nga shtresa shoqërore, gjinia apo mosha; ishte e drejtë për të gjithë dhe detyrë e shoqërisë që ta garantonte për secilin.
Të parët tanë e kuptuan se analfabetizmi nuk është vetëm mosnjohje e shkronjave, por paaftësi për ta kuptuar njëkohësisht fenë dhe jetën. Prandaj xhamitë ishin shkolla të hapura të dijes, mejtepet (shkollat fillore) ngriheshin pranë tyre për të mësuar jetimët dhe fëmijët e të varfërve; ishte e rrallë të ndërtohej një xhami pa u ngritur pranë saj edhe një mejtep ku fëmijët mësonin leximin dhe Kuranin. Edhe kampet ushtarake dhe pikat e rojës në kufij ishin si shkolla, ku mbaheshin mësime, lexohej hadithi, fikhu dhe gjuha.
Meqë Islami e bëri dijen adhurim, mësimi i leximit u kthye në domosdoshmëri fetare; sepse adhurimi i muslimanit dhe leximi i Librit të Allahut nuk mund të jenë të sakta pa njohjen e shkronjave dhe shqiptimin e saktë. Me këtë kuptim, arsimi në qytetërimin islam nuk ishte luks intelektual apo kërkesë elitare, por domosdoshmëri shoqërore ekzistenciale. Analfabeti nuk mund të jetojë një jetë të shëndoshë në një shoqëri të arsimuar, as të kontribuojë në ngritjen e saj; sepse injoranca është izolim, ndërsa dija është hapje ndaj botës. Prandaj reformatorët muslimanë nëpër shekuj e panë analfabetizmin si shkakun kryesor të rënies së umetit, si sëmundjen që duhet shkulur me çdo mjet. Nëse banorët e fshatrave nuk arsimohen si banorët e qyteteve, nuk mund të ngrihet një qytetërim i ekuilibruar dhe as të rregullohet jeta e njerëzve; dija është si drita: nuk mjafton të ndriçojë një shtëpi, nëse shtëpitë përreth mbeten në errësirë.
Muslimanët e kuptuan këtë të vërtetë dhe e bënë arsimin fillor gurin themelor të çdo ringjalljeje. Shkollat e para ishin mejtepe të vogla, por prej tyre dolën dijetarë në fe, gjuhë, astronomi dhe mjekësi; drita e tyre u shtri deri te universitetet e mëdha të Bagdadit, Kordobës dhe Kajruanit. E gjitha kjo buronte nga një bindje e palëkundur se dija është obligim, ndërsa injoranca është turp. Ata thoshin se i padituri është në përgjegjësinë e dijetarit dhe se ai që kupton duhet të mbajë barrën e atij që nuk kupton; sepse vetëdija është përgjegjësi kolektive, jo njohuri që fitohet për vete.
Lufta kundër analfabetizmit në mendimin islam nuk është thjesht çështje materiale e leximit dhe shkrimit; ajo është çlirim i mendjes nga prangat dhe ndriçim i shikimit të brendshëm pas verbërisë. Analfabeti, sipas këtij këndvështrimi, nuk është vetëm i paditur në shkronja, por i paditur në të vërtetën e vetes së tij; i paaftë të dallojë atë që e rregullon nga ajo që e shkatërron, i paaftë të dallojë të vërtetën nga e kota. Prandaj detyra e dijetarit është ta marrë përdore analfabetin, ashtu siç ai që shikon e merr përdore të verbërin, për ta udhëzuar në rrugën e drejtë.
Ky mesazh vazhdon të jetë i vlefshëm në çdo kohë; sepse analfabetizmi sot nuk është vetëm mosnjohje e shkronjave, por injorancë në mendim, dije dhe vetëdije. Mund të ketë njeriu diplomë, por të jetë analfabet në kuptimin e fesë së tij, të realitetit dhe të përgjegjësisë ndaj umetit. Prandaj duhet ta ringjallim në shoqëritë tona frymën e hershme islame në luftën kundër analfabetizmit,jo vetëm duke e fshirë nga fletët, por duke e zhdukur nga mendjet dhe ndërgjegjet.
Historia ka dëshmuar se kombet nuk ngrihen veçse kur arsimin e vendosin në krye të prioriteteve; kur pena bëhet armë krahas shpatës; dhe kur njerëzit kuptojnë se fjala e shkruar ka ndikim më të madh se çdo fitore materiale. Këtë bëri Islami kur lëshoi thirrjen e tij të përjetshme: “Lexo në emër të Zotit tënd që krijoi!”. Njerëzit lexuan në emër të Allahut, mësuan në emër të Allahut, dhe dolën nga errësirat e injorancës në dritat e dijes. Kështu u ngrit Umeti i Kuranit, një Umet që i mësoi botës se lufta kundër analfabetizmit është hapi i parë drejt lirisë dhe se ndërtimi i njeriut është qëllimi më i lartë i projektit të tij qytetërues të përjetshëm.
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com








