“Sikur të kishte dashur Zoti yt, të gjithë njerëzit do t’i bashkonte në një bashkësi të vetme, por ata vazhdimisht janë në kundërshtime.” (Hud, 118)
“وَلَوْ شَاءَ رَبُّكَ لَجَعَلَ النَّاسَ أُمَّةً وَاحِدَةً ۖ وَلَا يَزَالُونَ مُخْتَلِفِين”
Raporti midis Islamit dhe modernitetit është një nga çështjet më komplekse të debatit bashkëkohor, duke prekur dimensionet fetare, filozofike, sociologjike dhe politike. Moderniteti, produkt i transformimeve ideore që ndodhën qysh nga shekulli XVII, krijoi një paradigmë të re, në të cilën racionalizmi, autonomia njerëzore, dekonstruksionizmi, sekularizimi dhe individualizmi përbëjnë shtyllat bazë. Ky model shpesh shihet si i “përkundërt” me botëkuptimin islam, i cili vendos shpalljen hyjnore, normativitetin dhe lidhjen midis etikës, shoqërisë dhe transcendencës në qendër të jetës. Kësisoj, marrëdhënia midis Islamit dhe modernitetit nuk është thjesht një dialog, por një dialektikë dinamike që përfshin pikëprerje dhe transformime.
Nga pikëpamja historike, moderniteti evropian u konsolidua mbi një akt radikal të sekularizimit, duke përjashtuar autoritetin hyjnor nga jeta publike dhe duke afirmuar qasjen racionaliste në organizimin e botës. Iluminizmi e zhvendosi njeriun në qendër të universit moral e politik, duke krijuar një “kornizë imanente”, ku transcendenca shihet si opsionale.¹ Në këtë kontekst, Islami sfidon premisat e modernitetit, sepse ruan një rend etik dhe juridik të lidhur ngushtë me burimin hyjnor. Debatet bashkëkohore nënvizojnë se sfida nuk qëndron vetëm në mos-përputhjen normative, por edhe në pretendimin universalist të epistemologjisë moderne, e cila kundërshton dimensionet e shpalljes islame që tejkalojnë kufijtë e arsyes autonome.²
Reformatorët muslimanë të shek. XIX dhe XX, u përpoqën të artikulonin përgjigje ndaj modernitetit duke rivlerësuar traditën (turath), por pa rënë në imitim të verbër. Mendimtarë si Muhamed Abduhu dhe Rashid Rida e panë modernitetin si sfidë, por edhe si mundësi për të rikthyer vitalitetin moral dhe juridik të Islamit.³ Sfidat kryesore lidhen me ndërtimin e një etike islame e cila komunikon me racionalitetin modern, duke pasur parasysh se moderniteti nuk është thjesht teknologji, por një ndërgjegje kulturore me parime thelbësisht të ndryshme nga perspektiva islame mbi njeriun, epistemën dhe shoqërinë.⁴
Moderniteti, ndoshta pa e kuptuar (ne si “masë” fetare) ka ndikuar gjithashtu edhe në fragmentimin e autoritetit fetar dhe në pluralitetin e interpretimeve, duke krijuar sfida epistemike. Kjo gjë ka sjellë mbizotërimin e dekonstruksionit në studimet islame.
Dekonstruksionizmi, sipas Jacques Derrida, analizon tekste për të zbuluar tensionet e brendshme dhe pamundësinë për kuptim unik.⁵ Përdorimi i kësaj metode edhe në studimet islame ka hapur mundësi për interpretim kritik, por gjithashtu ka relativizuar hermeneutikën tradicionale, duke zhvendosur kuptimin nga autoriteti i transmetimit tek subjektiviteti i komentuesit. Ky zhvillim përbën sfidë për epistemologjinë klasike islame, e cila bazohet mbi objektivitetin e burimeve dhe jo mbi interpretimin arbitrar.⁶
Një dimension i ri është ndikimi i teknologjisë digjitale në dijen dhe praktikën islame. Komunikimi digjital dhe platformat online kanë lehtësuar qasjen individuale në tekste dhe komentime, duke decentralizuar autoritetin tradicional. Ky fenomen fuqizon individin, por krijon edhe sfida epistemike: interpretimet bëhen më të shpërndara, humbet konteksti tradicional dhe autoriteti i dijes së strukturuar dobësohet, ku si pasojë zhvillohet qasja ndaj informacionit por jo ndaj dijes. Përdorimi kritik i teknologjisë mund të pasurojë dialogun, pa e reduktuar shpalljen në informacione fragmentare dhe të pjesshme.⁷
Nga një këndvështrim, moderniteti shfaqet jo vetëm si zhvillim teknologjik, por edhe si hegjemonizim kulturor dhe socio-politik. Autorë bashkëkohorë argumentojnë se ai imponon modele unike globalisht, duke riformësuar marrëdhëniet e pushtetit përmes sekularizimit dhe kontrollit të mekanizmave të diskursit publik.⁸ Kjo krijon tension me traditën islame, e cila sheh rendin hyjnor si themel të jetës morale dhe sociale.
Historia tregon se qytetërimi islam ka zhvilluar nivele të larta të racionalitetit, shkencës, etikës dhe kulturës, duke ndërvepruar me tradita të ndryshme intelektuale. Problemi shfaqet kur moderniteti kërkon monopolin epistemik, ndërsa përgjigjet myslimane ndeshen nga refuzimi absolut ose adoptimi i pakushtëzuar. Qasja më e shëndetshme mbetet rikonceptimi i traditës brenda parimeve metodologjike, pasi siç vëren me të drejtë Taha Abdurrahman, moderniteti në nivel konceptual ka relativizuar absoluten dhe ka absolutizuar relativen.⁹
Megjithatë, raporti midis Islamit dhe modernitetit nuk është një konflikt i pashmangshëm, por një dialog i domosdoshëm dhe i vazhdueshëm. Në këtë dialog, pikëprerjet janë të qarta: Islami ka nxitur historikisht arsyen, shkencën, eksperimentimin dhe kërkimin e së vërtetës nëpërmjet ixhtihadi dhe mendimit kritik. Në anën tjetër, moderniteti, pavarësisht krizave të tij, ka arritur të prodhojë vlera universale si drejtësia sociale, dinjiteti njerëzor, barazia para ligjit dhe respektimi i të drejtave themelore, të cilat nuk janë të huaja për traditën islame, përkundrazi, gjenden në Kuran dhe Sunnet në formën më të lartë të tyre.
Kundërshtitë, megjithatë, mbeten reale dhe të thella. Moderniteti shpesh absolutizon autonominë njerëzore, duke e shkëputur atë nga çdo referencë transcendentale dhe duke e kthyer njeriun në masën e çdo gjëje. Në këtë mënyrë, ai minimizon ose mohon rendin hyjnor që Islami e sheh si themelin e çdo morali, ligji dhe kuptimi. Kjo nuk është thjesht një ndryshim filozofik, por një përplasje ontologjike: një botë që e sheh Zotin si qendër absolute, kundrejt një bote që e sheh njeriun si qendër relative dhe të vetëkrijuar.
Sfida e vërtetë e kohës sonë nuk është as refuzimi i plotë i modernitetit, as dorëzimi i pakushtëzuar ndaj tij, por ndërtimi i një qasjeje të balancuar. Kjo qasje kërkon:
– një kritikë të thellë dhe të paanshme të modernitetit me instrumente intelektuale serioze, duke përdorur si mjetet e vetë arsyes moderne ashtu edhe trashëgiminë e mendimit islam;
– një lexim të gjallë dhe dinamik të traditës islame, jo si muze të së shkuarës, por si burim i gjallë i kuptimit dhe zgjidhjeve për problemet e sotme;
– një hermeneutikë bashkëkohore që respekton autoritetin e teksteve të shenjta dhe metodologjinë klasike, por që njëkohësisht i hap ato ndaj pyetjeve aktuale;
– një angazhim aktiv në hapësirat publike, kulturore dhe shoqërore për të ofruar alternativa islame ndaj krizave të modernitetit të vonë; rreth etikës dhe moralit, ripërkufizimi i koncepteve sipas pikëpamjes fetare dhe ballafaqimi me humbjen e kuptimit.
Vetëm duke ecur në këtë rrugë, Islami mund të paraqitet si një alternativë. Nuk bëhet fjalë për të filluar një betejë kundër modernitetit, por për të kontribuar për një botë më të drejtë, më të kuptueshme dhe më të lidhur me burimin e saj hyjnor. Kjo është detyra akute e mendimit islam sot: jo të mbrohet nga moderniteti, por të dialogojë me të, ta sfidojë, ta pasurojë dhe, në fund të fundit, ta tejkalojë atë me një vizion më të plotë të njeriut dhe botës.
Hoxhë Vladimir Kera
Fusnota:
¹ Albert Hourani, Arabic Thought in the Liberal Age, 1798–1939 (Cambridge: Cambridge University Press, 1983), 15–18. (Mendimi arab në epokën liberale, 1798–1939.)
² Sejid Husein Nasr, Traditional Islam in the Modern Ëorld (London: KPI, 1987), 33–36. ( Islami tradicional në botën moderne.)
³ Muhamed Abduh dhe Rashid Rida, Tefsīr al-Manār (Kajro: Dār al-Manār, 2004), 12–20. Komentari i dritës (Tefsiri al-Manār).
⁴ Ibrahim Kalin, Reason and Rationality in the Quran (Amman: Royal Islamic Strategic Studies Centre, 2016), 45–48. (Arsyeja dhe racionaliteti në Kur’an.)
⁵ Jacques Derrida, Of Grammatology, trans. Gayatri Chakravorty Spivak (Baltimore: Johns Hopkins University Press, 1997), 59–63. (Për gramatologjinë.)
⁶ Ëael B. Halak, Authority, Continuity and Change in Islamic Laë (Cambridge: Cambridge University Press, 2001), 102–105. (Autoriteti, vazhdimësia dhe ndryshimi në ligjin islam.)
⁷ Gary R. Bunt, Hashtag Islam: Hoë Cyber-Islamic Environments Are Transforming Religious Authority (Chapel Hill: University of North Carolina Press, 2018), 78–82. (Hashtag Islam: Si mjediset kibernetike islame po transformojnë autoritetin fetar.)
⁸ Abdel vahhab El-Mesiri, Al-ʿAlmāniyya al-juzʾiyya ëa al-ʿalmāniyya al-shāmila (Kajro: Dār al-Shurūq, 2002), 145–150. (Sekularizmi i pjesshëm dhe sekularizmi i plotë.)
⁹ Taha Abdurrahman, Rūḥ al-ḥadātha (Bejrut: Al-Markaz al-Thaqāfī al-ʿArabī, 2006), 22–28; Buʾs al-dahrāniyya (Bejrut: Al-Markaz al-Thaqāfī al-ʿArabī, 2014), 55–60. (Shpirti i modernitetit; Mjerimi i kohëzimit.)








