Islami në Maltë

Malta është një shtet i vogël i vendosur në pellgun e Mesdheut, midis ishullit të Siçilisë dhe bregut të Afrikës së Veriut, përfaqësuar nga Libia dhe Tunizia. Ajo ka një pozicion të rëndësishëm strategjik midis Evropës Jugore dhe Afrikës së Veriut, si dhe midis pellgut lindor dhe atij perëndimor të Mesdheut.

Malta është një shtet evropian dhe përbëhet nga tre ishuj të banuar: Malta, Gozo dhe Komino; si dhe disa ishuj të pabanuar: Kominoto, Filfla dhe ishulli i Shën Palit.

Kryeqyteti i saj është Valeta, ku përqendrohet shumica e popullsisë. Maltezët flasin gjuhën malteze dhe anglishten.

Ajo u pushtua nga bizantinët deri në mesin e shekullit të tretë hixhri, më pas ra nën sundimin e Aghlabidëve dhe Fatimidëve deri në shekullin e pestë hixhri. Pas kësaj, u mor nga normanët dhe më vonë nga osmanët, të cilët e çliruan nga Kalorësit e Shën Gjonit në mesin e shekullit të dhjetë hixhri. Më pas, ishulli ra nën sundimin britanik dhe fitoi pavarësinë në vitin (1384 hixhri – 1964 e.s.).

Popullsia e Maltës është rreth 450 mijë banorë sipas statistikave të vitit 2010. Shumica dërrmuese, rreth 98%, i përkasin besimit katolik romak, ndërsa 2% ndjekin fenë islame, judaizmin dhe besime të tjera. Numri i myslimanëve në vend është rreth 6 mijë veta, që përbën rreth (1.44%) të popullsisë.

Gjendja e myslimanëve:

Në Maltë ekziston vetëm një xhami, e ndërtuar nga kolonel Gadafi disa vite më parë, dhe aktivitetet që zhvillohen aty financoheshin nga qeveria libiane. Po ashtu, ka vetëm një shkollë për mësimin e Islamit dhe gjuhës arabe, e cila u themelua nga Gadafi dhe mbulohej financiarisht prej tij. Përveç kësaj, myslimanët nuk kanë as xhami të tjera dhe as faltore.

Kur është pyetur kryetari i komunitetit islam në Maltë (me origjinë kuvajtiane) për numrin e myslimanëve, ai thotë: “Ata janë 12 mijë myslimanë që nuk kanë një vend për t’u falur.” Ndërsa, kur është pyetur një maltez për numrin e kishave në Maltë, ai përgjigjet menjëherë: “Kemi aq kisha sa ditë ka viti, pra një kishë për çdo ditë.” Kjo tregon se nuk ka hapësirë për xhami apo vende faljeje për myslimanët, pasi ata kanë mbushur ishullin, me një sipërfaqe prej vetëm 316 km², me kisha në çdo cep, duke arritur një numër prej 360-365 kishash. Kjo pasqyron urrejtjen e katolikëve ndaj Islamit dhe myslimanëve, pavarësisht lidhjeve gjuhësore dhe historike që vazhdojnë të ekzistojnë edhe sot.

Lëvizja misionare kryqtare është shumë aktive mes myslimanëve emigrantë atje, duke ndjekur një plan të gjerë kristianizimi. Kjo realizohet përmes shpërndarjes falas të broshurave luksoze, të shtypura me cilësi të lartë dhe të dizenjuara si revista të vogla, të zbukuruara me simbolet e zakonshme të kryqit dhe ikonat e njohura të krishtera. Këto shfaqen thjesht si revista në gjuhën arabe, por në të vërtetë janë materiale propaganduese të mbushura me mashtrime dhe gënjeshtra. Ato paraqiten si mesazhe të dërguara nga persona myslimanë nga Egjipti, Jemeni, Gjiri Arabik, Maroku, Algjeria, Jordania dhe vende të tjera, duke bërë pyetje rreth hollësive të besimit të krishterë. Revista u përgjigjet këtyre pyetjeve, por në asnjë rast nuk përmendet ndonjë emër i krishterë si pyetës; përkundrazi, emrat e përdorur janë myslimanë si: Muhamed, Ebu Bekër, Ali, Abdurrahman, Fatime, Aishe dheHadixhe.

Përgjigjet që jepen janë befasuese, pasi fillimisht përmenden parimet islame dhe më pas përpiqen t’i mbushin ato me devijime politeiste. Për shembull, theksojnë se Zoti është Një dhe nuk ka lindur e as nuk është lindur, por më pas shtojnë përjashtime për Krishtin, duke përshkruar detaje që nuk mund të pranohen nga logjika. Kjo është një mënyrë e qartë manipulimi.

Ne i bëjmë thirrje të gjitha vendeve islame brenda Organizatës së Konferencës Islamike që të ndërmarrin hapa për themelimin e një institucioni të dedikuar për çështjet e pakicave myslimane në botë, në aspektet fetare, politike dhe sociale. Ky institucion duhet të ketë degë të shpërndara në pesë kontinentet dhe të ketë një buxhet të caktuar. Gjithashtu, ai duhet të veprojë në një nivel ndërkombëtar për të ngritur dinjitetin e myslimanëve që jetojnë jashtë vendeve të tyre.

Burimi: dawa.center

Përktheu: Elton Harxhi