Autoritetet italiane lejuan evakuimin dhe hyrjen në Itali të grave, fëmijëve dhe emigrantëve të sëmurë nga anija e organizatës joqeveritare Mediterranea Saving Humans e cila dje shpëtoi deri më 100 migrantë të parregullt në Detin Mesdhe, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kategoritë e specifikuara të migrantëve nga anija “Mare Jonio”, e cila dje fillimisht u ndalua të hynte në ujërat italiane, u lejuan të evakuohen pas një dekreti trepalësh të nënshkruar nga ministri i Brendshëm italian i ekstremit të djathtë anti-emigrant, Matteo Salvini, ministrja e Mbrojtjes, Elisabetta Trenta, dhe ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Danilo Toninelli.
Sipas informacioneve nga burimet e Ministrisë së Brendshme, është lejuar evakuimi nga anija dhe hyrja në Itali për gratë, fëmijët dhe migrantët me probleme shëndetësore.
Nga ana tjetër në një postim të bërë në Twitter nga Mediterranea Saving Humans thuhet se disa prej emigrantëve nuk ndihen mirë për shkak se pritja vazhdon në 13 milje larg në jug të ishullit Lampedusa dhe se lartësia e dallgëve në det ka arritur deri në 2 metra.
Po ashtu OJQ-ja italiane ka theksuar se nga Komanda e Portit Lampedusa kanë kërkuar leje për të hyrë në port dhe se ata janë duke pritur për një përgjigje.
Anija “Mare Jonio”, dje në orët e mëngjesit pasi shpëtoi në brigjet e Libisë nga një gomone në mbytje rreth 100 emigrantë të parregullt duke përfshirë 22 fëmijë dhe 26 gra nga të cilat 8 prej tyre shtatzëna, mori drejtimin për në veri të Italisë për të transportuar emigrantët në një port të sigurt.
Mbrëmë Italia ndaloi hyrjen e anijes në fjalë në ujërat territoriale të saj.
Rajoni i Mesdheut mes Italisë, Maltës dhe Libisë është një nga rrugët më të përdorura të migracionit të parregullt për kalimin nga Afrika në Evropë vitet e fundit.
Në këtë rrugë, OJQ-të nga vendet e ndryshme të përfshira në aktivitete shpëtimi nuk i dërgojnë migrantët e shpëtuar në Tripoli për shkak të “shkeljeve të të drejtave të njeriut” dhe “sigurisë”.







