Izrael, protesta antiraciste për shkak të vdekjes së të riut me origjinë nga Etiopia

Në disa qytete të Izraelit edhe dje janë mbajtur protesta antiraciste me rastin e vdekjes së të riut me origjinë nga Etiopia, të cilin e vrau një polic, raporton Anadolu Agency (AA).

Shumë demonstrues u mblodhën në rrugën Menahim Begin në Tel Aviv duke brohoritur me slogane kundër autoriteteve izraelite.

Kohë pas kohe ka ndodhur përleshje mes policisë dhe demonstruesve të cilët tentuan të bllokojnë komunikacionin në këtë pjesë të qytetit. Në njoftimin e policisë theksohet se janë arrestuar 10 demonstrues, prej tyre pesë në protestat në Tel Aviv.

Në qytetin Netanya po ashtu intervenoi policia pasi demonstruesit tentuan të bllokojnë komunikacionin në rrugën kryesore të hyrjes në qytet.

Të martën në mbarë Izraelin po ashtu u organizuan protesta pasi të dielën në qytetin Kiryat Haim një polic, në kohën kur nuk ishte në detyrë, hapi zjarr dhe vrau 19 vjeçarin Solomon Tekaha, shtetas izraelit me origjinë nga Etiopia.

Shtetasit izraelitë me origjinë nga Etiopia, të cilët në Izrael janë rreth 135.000, janë të pakënaqur me sjelljen e autoriteteve ndaj tyre dhe pohojnë se janë viktima të diskriminimit, racizmit dhe varfërisë.

Bëhet fjalë për të ardhur që jetojnë kryesisht në zona të varfëra të vendit, ndërsa pakënaqësinë e tyre shpesh e shfaqin në protesta.