Izraeli hap zjarr në zonat e armëpushimit në qytetin e Gazës, plagosen dhe bllokohen familje palestineze

Tre palestinezë u plagosën të hënën mbrëma në lagjen Al Tuffah në lindje të qytetit të Gazës, pasi zona u godit me zjarr nga dronë dhe tanke izraelite, në shkelje të re të armëpushimit.

Sipas burimeve mjekësore për Anadolu, një grua palestineze u dërgua në spitalin Al Ahli Baptist pasi u qëllua nga një dron quadcopter izraelit. Më vonë, Mbrojtja Civile e Gazës njoftoi se ekipet e saj transferuan edhe dy të plagosur të tjerë, një grua dhe një burrë, nga afërsia e kryqëzimit Al Sanafour.

Mbrojtja Civile theksoi se dhjetëra familje të zhvendosura janë të bllokuara brenda ndërtesës Al Sakhra dhe shtëpive përreth nën zjarr të rëndë izraelit, duke bërë thirrje urgjente për evakuimin e tyre.

Korrespondentët raportuan se incidenti ndodhi në zona nga të cilat ushtria izraelite ishte tërhequr më parë në kuadër të armëpushimit me Hamasin, që hyri në fuqi më 10 tetor.

Sipas Zyrës së Medias së Qeverisë së Gazës, të paktën 342 palestinezë janë vrarë dhe rreth 900 janë plagosur nga sulmet izraelite që nga hyrja në fuqi e armëpushimit.

Që nga tetori 2023, ushtria izraelite ka vrarë mbi 70,000 persona në Gaza dhe ka plagosur më shumë se 171,000 të tjerë, kryesisht gra dhe fëmijë, duke e lënë enklavën të shkatërruar. /mesazhi