Izraeli ndan 274 milionë dollarë shtesë për projekte të vendbanimeve kolone në Bregun Perëndimor të pushtuar

 Qeveria izraelite ndau 274 milionë dollarë shtesë për projektet e vendbanimeve kolone ilegale në Bregun Perëndimor, disa orë pasi Knesseti (parlamenti izraelit) miratoi një mocion për aneksimin e territorit të pushtuar, tha media lokale sot, transmeton Anadolu.

Sipas gazetës “Israel Hayom”, ministrja e Transportit Miri Regev dhe ministri i Financave Bezalel Smotrich kanë miratuar të mërkurën në mbrëmje buxhetin shtesë prej 918 milionë shekelësh (274,6 milionë dollarë) për projektet e infrastrukturës dhe rehabilitimin e rrugëve për të lidhur vendbanimet kolone të Bregut Perëndimor me njëra-tjetrën dhe qytetet izraelite.

Vendimi erdhi disa orë pasi Knesseti miratoi një mocion jodetyrues që bën thirrje për aneksimin e Bregut Perëndimor të pushtuar.

Regev tha se zgjerimi i buxhetit erdhi në përputhje me “politikën e qartë të zbatimit të sovranitetit” në Bregun Perëndimor, pasi “miliarda dollarë janë shpenzuar për infrastrukturën e vendbanimeve kolone” deri më tani.

Smotrich gjithashtu pretendoi se projektet e infrastrukturës mundësojnë “sovranitetin aktual” mbi territorin e pushtuar dhe integrimin e një milion kolonëve të paligjshëm në popullsinë izraelite.

Izraeli ka pushtuar Bregun Perëndimor që nga Lufta e Lindjes së Mesme e vitit 1967.

Në një vendim historik korrikun e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshëm pushtimin e territorit palestinez nga Izraeli dhe kërkoi evakuimin e të gjitha vendbanimeve kolone në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.

Që nga fillimi i luftës gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës në tetor 2023, gati 1.000 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 7.000 të tjerë janë plagosur në Bregun Perëndimor nga forcat izraelite dhe kolonët e paligjshëm, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.