Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Izraeli përsërit paralajmërimin për libanezët që të lëvizin në veri të lumit...

Izraeli përsërit paralajmërimin për libanezët që të lëvizin në veri të lumit Litani

Ushtria izraelite të enjten përsëriti paralajmërimin për banorët e Libanit jugor që të evakuojnë zonat në jug të lumit Litani, përfshirë qytetet Tyre dhe Bint Jbeil, dhe të lëvizin në veri të lumit përpara sulmeve të ardhshme, transmeton Anadolu.

Paralajmërimi erdhi ndërsa Tel Avivi ka përshkallëzuar veprimet ushtarake kundër Libanit që nga e hëna, pas fillimit të sulmeve SHBA-Izrael ndaj Iranit të shtunën.

Në një postim në platformën amerikane të mediave sociale X, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, paralajmëroi të gjithë banorët e Libanit jugor që të “lëvizin menjëherë në veri të lumit Litani”.

Adraee tha se paralajmërimi përfshin gjithashtu banorët e qyteteve Tyre dhe Bint Jbeil dhe premtoi se do të “veprohet me forcë” kundër Hezbollah.

Ai paralajmëroi se “çdokush që ndodhet pranë anëtarëve të Hezbollahut, objekteve ose pajisjeve luftarake rrezikon jetën e tij”.

Adraee e zgjeroi paralajmërimin për të përfshirë çdo shtëpi për të cilën ai pretendoi se “përdoret nga Hezbollah për qëllime ushtarake”.

Të mërkurën, ushtria izraelite paralajmëroi të gjithë banorët e Libanit jugor që të evakuohen menjëherë dhe të drejtohen në veri të lumit Litani.

Në muajt e fundit, qarqe të djathta izraelite kanë bërë thirrje për pushtimin e zonave në jug të lumit Litani dhe krijimin e një “zone sigurie” atje.

Hezbollah shënjestroi të hënën një objekt ushtarak në veri të Izraelit me raketa dhe dronë në përgjigje të sulmeve të vazhdueshme ndaj Libanit dhe vrasjes së Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ali Khamenei, pas së cilës Tel Avivi nisi një seri sulmesh ajrore ndaj Libanit.

Ndërsa ushtria izraelite pretendon se shënjestron infrastrukturën e Hezbollahut, National News Agency thotë se shumë nga sulmet kanë goditur civilët.

Izraeli ka vrarë më shumë se 4.000 persona dhe ka plagosur rreth 17.000 të tjerë gjatë ofensivës së tij ndaj Libanit, e cila filloi në tetor 2023 dhe u zgjerua në një luftë të plotë në shtator 2024.

Pavarësisht një marrëveshjeje armëpushimi me Hezbollah që nga nëntori 2024, Izraeli ka vazhduar ta shkelë armëpushimin pothuajse çdo ditë, duke lënë qindra të vrarë dhe të plagosur.