Izraeli zhvendos divizionin më të madh ushtarak nga Gaza në kufirin me Libanin

Shefi i Shtabit të Izraelit, Herzi Halevi ka vendosur të zhvendosë divizionin më të madh të rregullt të ushtrisë izraelite, nga Rripi i Gazës në kufirin me Libanin, transmeton Anadolu.

Sipas lajmit të radios së ushtrisë izraelite, në ditët e kaluara ka patur diskutime në Shtabin e Përgjithshëm dhe komandanti rajonal jugor i ushtrisë izraelite, gjeneralmajor Yaron Finkelman bëri thirrje që Divizioni 36, divizioni më i madh i rregullt i ushtrisë izraelite, të mbetet në qendrën e Rripit të Gazës për të rritur presionin ushtarak ndaj Hamasit.

Shefi i Departamentit të Operacioneve, gjeneralmajor Oded Basyuk tha se Divizioni i 36-të në Gaza duhet të zhvendoset në veri për të qenë gati për çdo skenar. Më tej thuhet se shefi i Shtabit, Halevi vendosi që Divizionin e 36-të ta transferojë nga Gaza në kufirin me Libanin.

Në lajm nuk u nda asnjë informacion në lidhje me kohën e transferimit të divizionit, i cili përfshin Brigadën 188, Brigadën e 7-të, Brigadën Golani, Brigadën Etzioni dhe Regjimentin e Këmbësorisë, i cili përbëhet nga njësitë manovruese (të blinduara, këmbësoria dhe njësitë inxhinierike).

Në përleshjet mes ushtrisë izraelite dhe Lëvizjes Hezbollah që nga 8 tetori 2023, janë vrarë 186 anëtarë të Hezbollahut, 6 anëtarë të Lëvizjes Amal, 31 civilë libanezë, 6 civilë izraelitë dhe 10 ushtarë izraelitë.

Në sulmet që Izraeli ka kryer ndaj Rripit të Gazës që nga 7 tetori 2023 e deri më tani, përfshirë të paktën 12 mijë fëmijë dhe 8.190 gra janë vrarë 28.176 palestinezë si dhe janë plagosur 67.784 të tjerë.