Zv/presidenti do të shfrytëzojë armëpushimin për të një normalizim afatgjatë të raporteve SHBA-Iran
Administrata Trump mund të jetë ende larg një marrëveshjeje përfundimtare me Iranin, por sinjalet që kanë dalë ditët e fundit tregojnë një ndryshim të rëndësishëm në qasjen e Uashingtonit. Në qendër të këtij ndryshimi ndodhet zv/presidenti J.D. Vance, i cili ka zbuluar se SHBA-ja ka krijuar një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me Gardën Revolucionare Iraniane (IRGC), organizatë që zyrtarisht vazhdon të konsiderohet terroriste nga Uashingtoni.
Në një intervistë për UnHerd, Vance tha se një nga objektivat kryesorë ishte krijimi i një mekanizmi për uljen e tensioneve ushtarake. Sipas tij, përfaqësues të Komandës Qendrore Amerikane (CENTCOM) dhe të Gardës Revolucionare tashmë komunikojnë drejtpërdrejt në Doha për të shmangur përshkallëzimin e incidenteve dhe për të menaxhuar krizën.
Ky zhvillim konsiderohet i pazakontë, pasi zakonisht kontakte të tilla zhvillohen përmes shërbimeve të inteligjencës dhe jo përmes komandave ushtarake operative. Për Vance, megjithatë, ky kanal përfaqëson gurin e themelit të një strategjie shumë më të gjerë.
Objektivi i zv.presidentit amerikan nuk kufizohet vetëm te shmangia e një konflikti të ri. Ai synon krijimin e kushteve për një normalizim gradual të marrëdhënieve SHBA-Iran, të cilat kanë qenë të ngrira për dekada.
Sipas Vance, negociatat aktuale po shqyrtojnë një memorandum mirëkuptimi që do të shërbente si bazë për një marrëveshje më të gjerë. Dokumenti nuk do të trajtonte vetëm programin bërthamor iranian, por edhe sigurinë detare, uljen e tensioneve rajonale dhe rikthimin e komunikimit diplomatik.
Në këmbim, Uashingtoni pret që Teherani të pranojë kontrolle shumë më të rrepta mbi aktivitetin e tij bërthamor sesa ato të marrëveshjes së vitit 2015 (JCPOA), përfshirë kufizime të reja mbi rezervat e uraniumit të pasuruar.
Nga ana tjetër, Irani kërkon lehtësimin e sanksioneve ekonomike dhe fundin e izolimit financiar, të cilin e konsideron kusht të domosdoshëm për ndërtimin e një marrëdhënieje të re me Shtetet e Bashkuara.
Sipas Vance, edhe vendet arabe të Gjirit po e shohin me interes këtë proces. Ai pretendon se Emiratet e Bashkuara Arabe kanë nisur kontakte të paprecedenta me Gardën Revolucionare për të diskutuar mundësitë ekonomike që do të hapeshin në rast të një marrëveshjeje.
Nëse negociatat do të përparojnë, Irani mund të rikthehet gradualisht në qarkullimin ekonomik rajonal, duke tërhequr investime nga vendet e Gjirit dhe duke ulur tensionet që kanë dominuar rajonin gjatë viteve të fundit.
Për administratën Trump, ky do të ishte një rezultat shumë më i gjerë sesa një marrëveshje e zakonshme bërthamore, pasi do të krijonte një ekuilibër të ri politik në Lindjen e Mesme.
Por pikërisht kjo strategji ka shkaktuar zemërim në qarqet më konservatore të politikës amerikane. Neokonservatorët, të cilët prej vitesh kanë mbështetur një linjë maksimalisht të ashpër ndaj Republikës Islamike, e konsiderojnë të papranueshme çdo formë bashkëpunimi me Gardën Revolucionare.
Sipas tyre, negociatat rrezikojnë t’i japin Iranit legjitimitet politik pa garantuar ndryshime reale në sjelljen e regjimit. Figura të njohura pranë kampit pro-Izrael kanë sulmuar publikisht Vance, duke e akuzuar se po i bën lëshime Teheranit.
Brenda administratës amerikane po zhvillohet një përplasje e hapur mes kampit që mbështet diplomacinë dhe atij që kërkon vazhdimin e politikës së presionit maksimal.
Në këtë debat, Sekretari i Shtetit Marco Rubio shihet nga shumë neokonservatorë si alternativa ndaj linjës së Vance. Rezervat nuk kufizohen vetëm në Uashington. Edhe qeveria e Benjamin Netanyahut shihet si një nga pengesat kryesore për një marrëveshje të re.
Izraeli ka kërkuar prej kohësh dobësimin strategjik të Iranit dhe nuk e sheh me entuziazëm një proces që do ta pranonte Republikën Islamike si një aktor të përhershëm në arkitekturën e sigurisë së Lindjes së Mesme.
Një nga pikat më delikate mbetet Libani. Izraeli dëshiron ta trajtojë veçmas çështjen e Hezbollahut, ndërsa Teherani kërkon që çdo marrëveshje rajonale të përfshijë edhe aleatët e tij.
Edhe pala iraniane nuk është plotësisht e bashkuar. Brenda Teheranit ekzistojnë fraksione që shohin me dyshim çdo afrim me SHBA-në, ndërsa gjatë kontakteve diplomatike të javëve të fundit nuk kanë munguar momentet e tensionit.
Megjithatë, Vance këmbëngul se retorika e Teheranit ka ndryshuar ndjeshëm krahasuar me të kaluarën dhe se ekziston një mundësi reale për të ndërtuar një marrëdhënie më stabile.
Nëse kjo strategji do të japë rezultat apo do të rrëzohet nga kundërshtarët e saj në Uashington, Tel Aviv ose Teheran, kjo pritet të bëhet e qartë në javët e ardhshme. Për Vance, i cili ka investuar kapital të konsiderueshëm politik në këtë proces, suksesi ose dështimi i negociatave mund të ndikojë drejtpërdrejt edhe në të ardhmen e tij politike. /tesheshi


