BE-ja pret dënime dhe konfiskime të pasurisë së kriminelëve

Edhe pse në debatet në Kosovë rreth BE-së dominon tema e liberalizimit të vizave dhe me këtë edhe e marrëveshjes me Malin e zi për demarkacionin e kufirit, shqetësime kryesore të Bashkimit Evropian me Kosovën janë krimi i organizuar dhe korrupsioni, shkruan sot Koha Ditore.

Me këtë lidhet edhe çështja e respektimit të ndarjes së pushteteve, influenca politike dhe humbja e besimit në sistemin gjyqësor, mosrespektimi i plotë i procedurave në emërimet e prokurorëve dhe gjykatësve, e besa edhe shqetësimet për privilegje të personave të burgosur që janë “të profilit të lartë”.

Këto shqetësime, krahas vlerësimeve të tjera rreth zhvillimeve në Kosovë dhe përparimit në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, janë përfshirë në një draft-dokument të qëndrimeve të përbashkëta të BE-së për takimin me palën kosovare në kuadër të Këshillit të Stabilizim-Asociimit që ishte zhvilluar në Bruksel në fund të muajit nëntor.