Gjatë vitit shkollor 2025 në Japoni u regjistruan 359.424 nxënës të shkollave fillore, të mesme të ulëta dhe shkollave për nxënës me nevoja të veçanta, të cilët munguan në mësim për 30 ditë ose më shumë. Kjo shënon rritjen e 13-të vjetore radhazi, raportoi sot agjencia Kyodo News, duke iu referuar një sondazhi qeveritar, transmeton Anadolu.
Sipas Ministrisë së Arsimit, shifra për vitin shkollor që përfundoi në mars 2026 u rrit me 1,1 për qind krahasuar me vitin paraprak, duke përbërë 2,4 për qind të nxënësve të shkollave fillore dhe 6,9 për qind të nxënësve të shkollave të mesme të ulëta.
Një zyrtar ia atribuoi këtë rritje pjesërisht ndryshimit të qëndrimeve të prindërve, të cilët besojnë se fëmijët nuk duhet të detyrohen të shkojnë në shkollë kur përjetojnë ankth ose vështirësi personale. Mungesat te nxënësit e shkollave fillore u rritën me 2,4 për qind, duke arritur në 140.946 ndërsa rastet te nxënësit e shkollave të mesme të ulëta u rritën me 0,2 për qind, në 216.762. Në shkollat për nxënës me nevoja të veçanta u regjistrua rritje prej 19,9 për qind, duke arritur në 1.716 raste.
Megjithatë, ritmi i përgjithshëm i rritjes u ngadalësua krahasuar me 15,8 për qind në vitin fiskal 2023 dhe 2,2 për qind në vitin fiskal 2024. Sondazhi zbuloi se rastet e raportuara të bullizmit, përfshirë ato në shkollat e mesme të larta, u rritën me 3 për qind, duke arritur shifrën rekord prej 791.784, përfshirë 8.158 raste që lidhen me sjellje të pahijshme seksuale.
Incidentet e rënda të bullizmit, që përfshijnë dëmtime fizike ose psikologjike, apo mungesa të zgjatura nga shkolla, arritën rekord prej 1.798 rastesh, 394 më shumë se një vit më parë. Nga këto, 628 raste ose 34,9 për qind nuk u identifikuan si bullizëm deri pasi nxënësit pësuan dëme të rënda.
Bullizmi u raportua në 85,1 për qind të shkollave në mbarë vendin. Për të trajtuar rritjen e mungesave në shkollë, Këshilli Qendror për Arsimin i Japonisë po shqyrton reforma në kurrikulë, të cilat do të mundësonin plane individuale të studimit dhe vlerësime më fleksibile të nxënësve.




