Industria e kujdesit për kafshët shtëpiake në Japoni po njeh rritje të shpejtë, ndërsa kompanitë që tradicionalisht prodhonin artikuj për foshnja po e zhvendosin vëmendjen drejt tregut të kafshëve, si pasojë e rënies së vazhdueshme të lindshmërisë.
Një nga shembujt është kompania japoneze “Lucky Industries”, e njohur për prodhimin e mbajtëseve për foshnja që nga viti 1934. Pas një përvoje personale, punonjësi i saj Shin Ohta propozoi krijimin e mbajtëseve të posaçme për qen. Pas konsultimeve me veterinerë, kompania hodhi në treg në vitin 2022 linjën e parë të mbajtëseve për qen, të quajtur “Nu-i”.
Sipas të dhënave të kompanisë së analizave të tregut Euromonitor, tregu japonez i produkteve për kafshët shtëpiake arriti vlerën prej 880 miliardë jenësh (rreth 5.4 miliardë dollarë) në vitin 2025, nga 689.6 miliardë jenë në vitin 2020.
Në Japoni, numri i kafshëve shtëpiake tashmë është mbi dy milionë më i madh se numri i fëmijëve nën moshën 15-vjeçare. Kjo ka nxitur kompani të shumta që prodhonin pelena, karroca dhe aksesorë për foshnja të zhvillojnë produkte të ngjashme për qen dhe mace.
Edhe kompania Unicharm, e njohur për produktet higjienike dhe pelenat për foshnja, ka zgjeruar prej vitesh aktivitetin në sektorin e kujdesit për kafshët. Sipas kompanisë, ky sektor përbën tashmë 17 për qind të shitjeve të saj dhe synohet të arrijë në 20 për qind deri në vitin 2030.
Përfaqësuesit e industrisë thonë se ndryshimet demografike, rritja e numrit të personave beqarë, martesat në moshë më të vonshme dhe familjet pa fëmijë kanë bërë që shumë japonezë t’i konsiderojnë kafshët shtëpiake si pjesë të familjes.
Sociologët theksojnë se fenomeni i “humanizimit të kafshëve”, ku ato trajtohen si fëmijë ose anëtarë të familjes, është bërë gjithnjë e më i zakonshëm në Japoni, duke ndikuar drejtpërdrejt në zgjerimin e këtij tregu dhe në strategjitë e kompanive që po kërkojnë burime të reja rritjeje. /mesazhi






