Japonia shton mbi 6 miliardë dollarë për buxhetin e ushtrisë

Fumio Kishida

Japonia po planifikon të shtojë 6.75 miliardë dollarë në shpenzimet e saj vjetore tashmë rekorde ushtarake, në një nxitim për të forcuar mbrojtjen ajrore dhe detare, ndërsa shqetësimet po rriten për kërcënimet e paraqitura nga Kina dhe Koreja e Veriut.

Qeveria e kryeministrit Fumio Kishida miratoi të premten shpenzimet si pjesë e një buxheti shtesë. Ndërsa shtesa të tilla në shpenzimet e mbrojtjes janë të zakonshme, 774 miliardë jen që ligjvënësit do t’u kërkohet të miratojnë është shuma më e madhe ndonjëherë, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Japonisë.

“Ndërsa mjedisi i sigurisë rreth Japonisë përkeqësohet me shpejtësi të paprecedentë, detyra jonë urgjente është të përshpejtojmë zbatimin e projekteve të ndryshme”, ka thënë ministria e Mbrojtjes në propozimin e saj të shpenzimeve.

Presioni në rritje i Kinës ndaj Tajvanit po shkakton shqetësime në Japoni, sepse kontrolli i ishullit nga Pekini do t’i sillte forcat kineze rreth 100 kilometra nga territori i saj dhe do të kërcënonte rrugët kryesore tregtare detare që furnizojnë Japoninë me naftë dhe mallra të tjera. Ai gjithashtu do t’i sigurojë Kinës bazat për qasje të papenguar në Paqësorin perëndimor.

Shpenzimet shtesë do të lejojnë gjithashtu Japoninë të blejë më shpejt raketa anti-nëndetëse, avionë patrullimi detar dhe avionë mallrash ushtarakë, ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes.

Shpenzimet shtesë ushtarake vijnë pasi partia në pushtet e Kishidës në tetor përfshiu një objektiv për pothuajse dyfishimin e shpenzimeve të mbrojtjes në 2% të prodhimit të brendshëm bruto (GDP), në premtimet zgjedhore. /koha