“Jo çdo gjë përnjëherësh…

Një hoxhë predikues, hyn në sallen ku do të mbante një ligjëratë. Salla ishte bosh, përveç një djali të ri që ishte ulur në rreshtin e parë. Hoxha, duke menduar me vete nëse duhet të fliste ose jo, më në fund i thotë djalit: ‘Ti je i vetmi këtu. A mendon se duhet të flas apo jo?’
Djali i përgjigjet atij: ‘Hoxhë efendi, unë jam njeri i thjeshtë dhe nuk marr vesh nga këto gjëra. Por, nëse do shkoja tek stalla e kuajve dhe do shihja që të gjithë kuajt kanë ikur dhe aty është vetëm një kalë, unë do ta ushqeja atë me bar gjithësesi.’
Hoxha merr zemër nga kjo që djali tha dhe nis të mbajë ligjëratën e tij. Ai foli për dy orë pa pushim. Pas kësaj, u ndie kaq i ngritur shpirtërisht sa dëshironte konfirmimin e audiencës se sa e mirë kishte qenë ligjërata e mbajtur. Kthehet nga djali dhe e pyet: ‘Hë, si t’u duk fjalimi im?’
Djali përgjigjet: ‘Të thashë që jam njeri i thjeshtë dhe s’marr vesh shumë nga këto gjëra. Megjithatë, kur shkoj në stallë dhe shoh që të gjithë kuajt kanë ikur, përveç njërit, unë do ta ushqeja atë, por nuk do t’i jepja të gjithë mullarin e barit.’

Nga: Elmaz Fida