Ballina Lajmet Kosovë “Jo Republika Srpska në Kosovë” – shqiptarët protestojnë në Bruksel

“Jo Republika Srpska në Kosovë” – shqiptarët protestojnë në Bruksel

Një numër i shqiptarëve që jetojnë në Bruksel, dje kanë protestuar para ndërtesës së Komisionit Evropian.

Ata kanë kërkuar nga Bashkimi Evropian të heq masat ndëshkuese ndaj Kosovës dhe të sanksionoj Serbinë.

“Jo Republika Srpska në Kosovë”, “Lajçak shko në shtëpi”, “Të bashkuar ne qëndrojmë, Asociacioni nuk është rruga”, ishin vetëm disa nga parullat që mbanin në duar protestuesit.

Kërkesë tjetër e tyre ka qenë edhe që të ketë një proces të drejtë të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Njëra nga pjesëmarrëset e kësaj proteste, Djellza Trolli në një prononcim për Telegrafin ka treguar se kjo ka qenë protesta e dytë që është mbajtur në Bruksel.

Trolli ka shtuar se nëse është nevoja do të vazhdojnë edhe me protesta tjera.

“Nëse është nevoja me u ngrit prapë në protesta do ta bëjmë. Kemi ndërmarrë hapa të tjera gjithashtu i kemi dërguar një letër të hapur për zyrtarët evropianë, një peticion për Parlamentin dhe zhvillimin e një rrjeti që merret lobim për Kosovën”, u shpreh Trolli për Telegrafin.