Johansson: Rasti i ngrirjes për vdekje të 19 emigrantëve në kufirin turko-grek duhet të hetohet

Komisionerja për Çështjet e Brendshme të Bashkimit Evropian (BE) Ylva Johansson tha se rasti i ngrirjes për vdekje të 19 emigrantëve të parregullt në kufirin turko-grek duhet të hetohet.

Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Drejtësisë dhe të Brendshëm të BE-së Johanson u përgjigj në pyetjen e gazetarëve në lidhje me takimin me ministrin grek.

Johansson i përshkroi vdekjet e emigrantëve të parregullt si “të tmerrshme”.

“Ne ende dimë shumë pak për këtë. Kjo nuk duhet të kishte ndodhur kurrë. Emigrantët ndoshta vdiqën duke u përpjekur të hynin në BE. Për këtë çështje e pyeta ministrin grek që ndodhej këtu. E pyeta nëse kishte ndonjë informacion, por ai kishte shumë pak informacione. Ne duhet të hetojmë situatën dhe të mësojmë më shumë”, tha ajo.

Johansson theksoi se incidenti i fundit tregon rëndësinë e BE-së që të ketë një politikë të duhur të emigracionit dhe azilit.

Duke nënvizuar vlerat e BE-së, Johansson tha: “Po, ne duhet të mbrojmë kufijtë tanë dhe të parandalojmë ardhjet e parregullta. Por, në të njëjtën kohë, ne duhet ta bëjmë këtë në përputhje me vlerat tona dhe të mbrojmë të drejtën për të aplikuar për azil. Shumë njerëz po vdesin. Përveç këtij incidenti të fundit, ne kemi parë shumë njerëz që vdesin duke u përpjekur të arrijnë kufijtë e BE-së në rrugët Mesdhetare dhe Atlantike. Kjo është një arsye e fortë pse ne duhet të bashkëpunojmë më fuqishëm me vendet e treta për të parandaluar që njerëzit të humbasin jetën e tyre.”

Trupat e 11 emigrantëve të parregullt që ngrinë për vdekje të mërkurën u gjetën në zonën rurale Mandakoru në afërsi të fshatit Pasakoy të Edrenesë.

Një emigrant i parregullt, i cili u dërgua në spital nuk mundi të shpëtohej pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve.

Ministri i Brendshëm, Suleyman Soylu, tha se këpucët dhe rrobat e emigrantëve të ngrirë deri në vdekje ishin hequr dhe shtyrë nga trupat kufitare greke.

Ekuipazhet gjetën edhe trupat e shtatë emigrantëve të tjerë, të cilët u ngrinë për vdekje në të njëjtën zonë dje. /trt