Kryeministri britanik, Boris Johnson tha të dielën se Britania e Madhe gjendet në një një periudhë përshtatjeje pas Brexit-it dhe COVID-it, me vendin që po përballet me mungesa të karburantit dhe probleme në zinxhirin e furnizimit, sipas BBC.
Javën e kaluar, mungesa e drejtuesve të kamionëve me tonazh të madh dhe kërkesa e lartë e futën BM-në në një krizë për karburant, me radhë të gjata dhe mbyllje.
Të gjitha këto në mes të shqetësimeve për koston e jetesës, ndërsa çmimet e ushqimit dhe energjisë vazhdojnë të rriten, krahas shkurtimeve të kredisë universale.
Megjithatë, kryeministri këmbënguli që plani i tij për një pagë më të lartë, ekonomi më të kualifikuar, do të ofrojë një zgjidhje afatgjatë.
Duke folur për Andrew Marr nga BBC, në ditën e parë të konferencës së Partisë Konservatore, Johnson tha se “Do të ketë një periudhë përshtatjeje, megjithatë kjo është ajo që unë mendoj se pritet të shohim”.
Ai nuk tha nëse problemet në furnizim do të ndikojnë në Krishtlindje, por, më vonë, u tha gazetarëve se ishte “shumë i sigurt” se sezoni festiv do të ishte “shumë më i mirë” se vitin e kaluar.
Johnson refuzoi, gjithashtu, të përjashtojë rritjen e taksave, vetëm tri javë para se Sekretari i Thesarit, Rishi Sunak, të shpallë buxhetin e tij vjetor.
Kryeministri vuri në dukje se ishte një “kundërshtar i zellshëm i rritjes së panevojshme të taksave”, por paralajmëroi se pandemia kishte goditur ekonominë e BM-së si një “meteorit fiskal”.
Muajin e kaluar, qeveria njoftoi se do të ngrinte Sigurimet Kombëtare për të paguar për kujdesin shëndetësor dhe social.
Në atë kohë, kur u pyet nëse do të përjashtonte taksat shtesë, Johnson tha se ai mund të jepte një “angazhim emocional” që nuk do të deshte të paraqiste rritje të mëtejshme.
Në fillim të këtij viti, Sunak gjithashtu ngriu pragjet e taksës mbi të ardhurat, duke rritur numrin e taksapaguesve, ndërkohë që pagesa shtesë javore prej 20 stërlinash e kredisë universale, e vendosur gjatë pandemisë, do të përfundojë këtë javë.
I pyetur nga Andrew Marr nëse ai do të rriste taksat, Johnson u përgjigj: “Nëse mund ta shmang, unë nuk do të desha t’i ngre sërish taksat”.
Ai shtoi: “Unë mund t’ju them se ju nuk keni asnjë kundërshtar më të ashpër dhe më të zellshëm të rritjes së panevojshme të taksave se unë, por na është dashur të përballemi me një pandemi në një shkallë që ky vend nuk e ka parë më parë, gjatë jetës sonë dhe shumë kohë më parë”.
“Ne nuk duam të rrisim taksat, natyrisht që nuk duam, por ajo që nuk do të bëjmë është të tregohemi të papërgjegjshëm me financat publike”. /atsh