Jordani, dorëhiqet kryeministri pas protestave masive

Kryeministri i Jordanisë, Hani al-Mulki, dha dorëheqje pas protestave masive të organizuara kundër ligjit kontrovers të taksave, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas një burimi të afërt të kryeministrit, Mulki ka paraqitur dorëheqjen e tij te Mbreti Abdullah, ndërsa ka kërkuar dorëheqjen edhe nga ministrat në qeverinë e tij, njoftoi gazeta jordaneze Dustur.

Ndërkohë, burimet e afërta të qeverisë thonë se Mbreti Abdullah mandatin për formimin e qeverisë së re ia ka besuar Omar al-Razzaz.

Razzaz ishte ministër i Arsimit në qeverinë Mulki.

Ndryshe, zhvillimet nisën kur qeveria jordaneze më 21 maj solli në parlament një projekt-ligj kontrovers për taksa shtesë mbi të ardhurat.

Projekt-ligji është cilësuar si diktat i Fondit Monetar Ndërkombëtar, ndërsa është pritur me reagime të shumta në mbarë Jordaninë, përfshirë protestat në kryeqytetin Aman dhe qytetetet Irbid, Tafila, El-Kerak, Er-Remse dhe Maan.

Mbreti Abdullah kishte thirrur qeverinë dhe parlamentin për një marrëveshje lidhur me projekt-ligjin.