Kremlini ka njoftuar përbërjen e delegacionit rus që do të marrë pjesë në raundin e ri të bisedimeve trepalëshe për paqen në Ukrainë, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, të cilat do të mbahen javën e ardhshme në Abu Dhabi, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë për agjencinë e lajmeve Interfax, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi se zyrtarët që morën pjesë një ditë më parë në një takim pune të organizuar nga presidenti rus, Vladimir Putin, me anëtarët e Këshillit të Sigurimit të vendit do të marrin pjesë në negociata në emër të Moskës.
Sipas raportimit, delegacioni përfshin këshilltarin presidencial, Vladimir Medinsky, i cili u konfirmua si kryesues i delegacionit të Moskës në fillim të kësaj jave, zv/ministrat rusë të Punëve Jashtme, Sergey Ryabkov dhe Mikhail Galuzin, kreu i agjencisë së inteligjencës ushtarake të Rusisë (GRU-së), Igor Kostyukov dhe zv/shefi i Drejtorisë Kryesore Operative të Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë, Yury Zhigarlovsky.
Peskov shtoi se Yury Ushakov do të “mbikëqyrë negociatat e ardhshme” në cilësinë e këshilltarit të presidentit rus për politikën e jashtme.
Dje, Putin organizoi një takim të Këshillit të Sigurimit në Moskë, ku morën pjesë anëtarët e delegacionit. Gjatë takimit u diskutuan temat e bisedimeve të ardhshme në Abu Dhabi, si dhe garantimi dhe forcimi i sigurisë ushqimore të Rusisë.
Gjatë takimit, sipas një deklarate të Kremlinit, Putin falënderoi udhëheqjen e Emirateve të Bashkuara Arabe për mbështetjen e përpjekjeve të tyre për të gjetur një zgjidhje për luftën Rusi-Ukrainë, si dhe për ndihmën në trajtimin e çështjeve humanitare.
Kryeqyteti i Emirateve të Bashkuara Arabe pritet të presë raundin e radhës të bisedimeve trepalëshe të paqes, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, duke filluar nga e marta.
Moska dhe Kievi zhvilluan bisedimet e fundit të paqes të ndërmjetësuara nga Washingtoni në fillim të këtij viti, me tre raunde të mbajtura më 23-24 janar, 4-5 shkurt dhe 17-18 shkurt. Dy raundet e para u zhvilluan në Abu Dhabi, ndërsa i treti në Gjenevë.
Po ashtu, dje, David Arakhamia, kreu parlamentar i fraksionit qeverisës të Ukrainës, “Shërbëtori i Popullit”, i tha gazetës online The Kyiv Independent se Rustem Umerov, kreu i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Ukrainës, do të drejtojë ekipin negociator të vendit gjatë bisedimeve në Abu Dhabi.
Arakhamia shtoi se delegacioni, përveç tij dhe Umerov, do të përfshijë gjithashtu kreun e Zyrës Presidenciale të Ukrainës, Kyrylo Budanov, zv/shefin e parë të Zyrës Presidenciale të Ukrainës, Serhii Kyslytsia, si dhe këshilltarin për komunikim të presidentit Volodymyr Zelenskyy, Dmytro Lytvyn.



