“Jordania nuk do të jetë fushë beteje për Izraelin dhe Iranin”

Mbreti Abdullah i Jordanisë tha sot se vendi i tij nuk do të jetë fushë beteje për Izraelin dhe Iranin, ndërsa tensionet midis dy armiqve rajonalë janë rritur pas një sulmi të madh ajror nga Teherani gjatë fundjavës, raporton Anadolu.

“Siguria dhe sovraniteti i Jordanisë janë mbi të gjitha konsideratat”, ka thënë Abdullah gjatë një takimi në Mafraq, qytet në veri të kryeqytetit Aman.

“Jordania nuk do të jetë fushë beteje për asnjë palë”, ka shtuar ai, sipas një deklarate nga oborri mbretëror.

Jordania interceptoi dronë dhe raketa të lëshuara nga Irani drejt Izraelit të shtunën, ndërsa ushtria e vendit u zotua të përballet me çdo përpjekje që cenon sigurinë e Jordanisë.

Irani tha se sulmi i fundjavës ishte në përgjigje të sulmit të 1 prillit ndaj përfaqësisë diplomatike të tij e tij në Siri, në të cilin u vranë të paktën 13 persona, duke përfshirë shtatë këshilltarë ushtarakë.

Izraeli është zotuar se do t’i përgjigjet sulmit iranian.

Sot më herët, ministri i Jashtëm jordanez, Ayman Safadi, tha se Amani do të interceptojë çdo dron izraelit që shkel hapësirën ajrore të vendit.

Jordania “nuk do të jetë fushë beteje për asnjë konflikt në rajon”, shtoi ai gjatë një konference për shtyp në Berlin me homologen e tij gjermane Annalena Baerbock.