JPMorgan: Çmimet e naftës në tremujorin e dytë mund të arrijnë në 125 dollarë për fuçi

Kompania e shërbimeve financiare me bazë në SHBA ‘JPMorgan’ ka deklaruar se çmimet e naftës së papërpunuar mund të arrijnë në 125 dollarë për fuçi në tremujorin e dytë të këtij viti, transmeton Anadolu Agency (AA).

JPMorgan tha se në anën e ofertës së Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe aleatët e saj, të quajtur OPEC+, nuk ka gjasa të devijojnë nga kuota e synuar e prodhimit të naftës.

Prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë të OPEC+ po përjetojnë vështirësi në përmbushjen e kuotave të tyre mujore të prodhimit.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), prodhimi total i naftës nga OPEC+ u rrit në muajin janar me një masë modeste prej 150 mijë fuçi në ditë (bpd).

Megjithatë, tha IEA, këtë vit kërkesa globale për naftë vlerësohet të rritet me 3.2 milionë fuçi në ditë.

Po ashtu edhe tensioni në rritje midis Rusisë dhe Ukrainës ka shkaktuar rritje të çmimeve të naftës.

Sot, çmimi i naftës së papërpunuar Brent tejkaloi 96 dollarë për fuçi, nivel më i lartë në rreth shtatë vitet e fundit, ndërsa çmimi i standardit amerikan ‘West Texas Intermediate’ (WTI) arriti në 94.92 dollarë për fuçi. /aa