Juventusi me fitore minimale ndaj Malmos

Skuadrës së Juventusit i ka mjaftuar fitorja minimale 1:0 në shtëpi ndaj Malmos për ta kthyer pozitën e parë në Grupin H të Ligës së Kampionëve, në xhiron e fundit të kësaj faze.

Golin e vetëm në ndeshjen e luajtur në Torino, e shënoi sulmuesi Moise Kean (18’) me kokë pas harkimit te Federico Bernardeschit.

Me këtë fitore, Juventusi e ka mbyllur fazën e grupeve si lider i Grupit H me 15 pikë të mbledhura, dy me shumë se Chelsea që barazoi në udhëtim te Zeniti. Për Juventusin, kjo ishte fitorja e pestë në fazën grupore të Championsit.

Ndërkohë, Malmo me këtë humbje që ishte e pesta, u eliminua nga garat evropiane këtë edicion me vetëm një pikë të mbledhur.