SAN FRANCISKO – Një projektligj i ri në shtetin amerikan të Kalifornisë synon që festat e Bajramit të njihen zyrtarisht si festa shtetërore. Propozimi u prezantua nga ligjvënësi Matt Haney së bashku me përfaqësues të komunitetit dhe organizata të ndryshme gjatë muajit të Ramazanit.
Projektligji AB 2017 parashikon njohjen zyrtare të dy festave më të rëndësishme për muslimanët, Fitër Bajramit dhe Kurban Bajramit, në ligjin e shtetit të Kalifornisë.
Sipas Haney, Kalifornia është një nga shtetet më të larmishme në Shtetet e Bashkuara dhe ka një komunitet të madh musliman, megjithatë festat kryesore të këtij komuniteti ende nuk kanë njohje formale në ligjin shtetëror.
“Kalifornia është shtëpi për një nga komunitetet më të mëdha dhe më të gjalla muslimane në vend dhe traditat e tyre meritojnë respekt dhe njohje. Asnjë nxënës nuk duhet të zgjedhë mes festimit të një dite të shenjtë dhe paraqitjes në shkollë”, tha Haney.
Në Kaliforni jetojnë më shumë se 500 mijë muslimanë, përfshirë studentë, mësues, mjekë, inxhinierë dhe punonjës të sektorit publik e privat. Aktualisht, shumë prej tyre detyrohen të mungojnë në shkollë ose punë për të festuar Bajramin dhe shpesh duhet të përdorin ditë pushimi ose të kërkojnë leje të veçantë.
Projektligji AB 2017 synon që nxënësit që festojnë Bajramin të kenë mungesa të arsyetuara në shkollë, ndërsa punonjësit të kenë mundësinë të përdorin ditët e tyre të pushimit për ta festuar këtë ditë pa pasoja.
Përfaqësues të organizatave dhe komunitetit musliman e kanë cilësuar këtë nismë si një hap të rëndësishëm drejt përfshirjes dhe respektimit të diversitetit fetar në shtet.
Sipas tyre, njohja zyrtare e Bajramit do të dërgonte një mesazh të fortë për barazi dhe përkatësi, veçanërisht në një kohë kur komunitetet muslimane përballen me diskriminim dhe rritje të islamofobisë në disa pjesë të vendit.
Projektligji është mbështetur nga organizata të ndryshme, përfshirë Muslim Impact Council, Komisionin e Kalifornisë për Çështjet e Amerikanëve Aziatikë dhe Paqësorë, si dhe Këshillin për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike (CAIR) në Kaliforni.
AB 2017 pritet të shqyrtohet në javët në vijim nga komisionet përkatëse të Asamblesë së Kalifornisë. Nëse miratohet, festat e Bajramit do të njihen zyrtarisht në ligjin e shtetit si pjesë e traditave të komunitetit musliman në Kaliforni. /mesazhi







