Kalın: Bëjmë çmos dhe presim qetësimin e situatës në Gutën Lindore

Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalın sot në Ankara deklaroi se Turqia ka mobilizuar të gjitha burimet për t’i dhënë fund gjakderdhjes në rajonin sirian të Gutës Lindore, përfshirë aktivitete të filluara më parë humanitare dhe përpjekjet diplomatike të presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke rikujtuar se Presidenti Erdoğan për situatën në Gutën Lindore mbrëmë ka biseduar me homologun e tij rus Putin, zëdhënësi Kalın njoftoi se Erdoğan rreth temës së njëjtë pasdite do të bisedojë edhe me presidentin e Iranit, Rouhani.

“Presim që urdhrat e lëshuara nga Putin në ditët e ardhshme të reflektojnë qetësim të konsiderueshëm të situatës në Gutën Lindore”, tha Kalın.

Duke iu referuar operacionit ushtarak “Dega e Ullirit” të nisur Forcat e Armatosura Turke (TSK) dhe Ushtria e Lirë Siriane (ULS) me qëllim të spastrimit të rajonit kufitar sirian Afrin nga terroristët e YPG/PKK-DEASH, Kalın tha se terroristët nga rajoni Munbixh transferohen në Afrin.

“Presim që transferimin e terroristëve nga Munbixhi në Afrin ta parandalojnë SHBA-të, nën kontrollin e së cilës vepron YPG/PYD. Kjo është e drejta jonë më e natyrshme për ta kërkuar”, tha Kalın.

Kalın dënoi ashpër incidentin që ndodhi më 5 mars në Athinë, kur demonstruesit i vunë zjarrin flamurit turk.

“Dënojmë aktin e djegies të flamurit tonë, akt ky i kryer nga partia politike raciste në protestat në Athinë. Ne kemi reaguar për këtë dhe dua të theksoj se ne presim që autoritetet greke të arrestojnë dhe ndjekin penalisht autorët e krimit. Në mes shteteve mund të kenë qëndrime të ndryshme dhe mosmarrëveshje, por djegia e flamurit të huaj është krim i shkaktuar nga urrejtja”, tha Kalın.

Duke komentuar edhe rastin e arrestimit dhe lirimit të ish-udhëheqësit të organizatës terroriste PYD/PKK Salih Müslüm në Pragë si dhe paraqitjen e tij në një tubim në Berlin, Kalın tha se ky është një rast për çka evropianët duhet të ulen dhe të mendojnë mirë.

“Evropianët duhet seriozisht të pyesin pse dhe si është e mundur të lejohet lirimi i njeriut të cilin Turqia si një aleat i rëndësishëm i Evropës, e konsideron si terroristin më të kërkuar. Le të pyesin veten dhe mos të habiten pse Turqia reagon ashpër ndaj saj”, tha Kalın.