Ado të doje të ngasësh një makinë, në vend që të harxhoj karburant gjatë rrugës…, e shton atë?
Kush nuk do ta donte një ‘makinë’ të tillë…!
Mbase je skeptik, dhe me të drejtë, por ndal pak: a e ke menduar ndonjëherë që një ‘makinë’ e tillë mund të ekzistojë brenda teje?
Njeriu gjatë çdo angazhimi dhe lëvizjeje, natyrshëm harxhon energji, a po?
Pra, ti në çdo moment që je aktiv harxhon energji deri sa të shterosh.
Po si mund të jem aktiv dhe të mos harxhoj energji?
Nuk lëviz gjë…, more ti, pa energji!
Ka një përjashtim… dhe një ‘sekret’ të madh: Kur njeriu udhëton me qëllime të larta, në vend që të shterojë… mbushet me energji! Ti jo vetëm që nuk lodhesh, por rigjenerohesh; jo vetëm që nuk shterohesh, por mbushesh!
O ti i dashur dhe ti e dashur, qëllimet dhe synimet e larta jetësore janë katalizator të fuqishëm për rigjenerimin apo shtimin e energjisë
Çdo lëvizje jote me qëllime të larta, krahas harxhimit të energjisë…, nga ana tjetër, i mbush bateritë edhe më shumë se që ke harxhuar!
Në fund të një dite të gjatë me qëllime të larta, ti kurrë nuk do të ndihesh i/e rraskapitur, pavarësisht orëve apo ditëve që ke harxhuar, por do të ndihesh tejet i lumtur apo e lumtur.
Energjia nuk është më vetëm çështje fizike, por edhe shpirtërore, emocionale, dhe mendore.
Nëse e ke lexuar këtë artikull deri këtu, të lumtë! Vazhdoje leximin deri në fund dhe shtoje energjinë tënde…
Tri burime të mëdha energjie nën prizmin e qëllimeve:
Qëllimet Hyjnore – çdo aktivitet dhe veprim që ndërmarrim, që Zoti të jetë i kënaqur me ne, është burimi më i madh dhe më i pa imagjinueshëm i energjisë
Qëllimet Shoqërore – çdo angazhim për interesin dhe mirëqenien e njerëzimit gjeneron energji të jashtëzakonshme
Qëllimet Personale – çdo angazhim që bëjmë për zhvillimin e aftësive dhe mirëqenies tonë, me kusht që të jenë pro-njerëzimit (e jo kundër-njerëzimit) – është gjithashtu një burim i energjisë
Jeta pa qëllime të larta, është një jetë boshe dhe rraskapitëse, respektivisht shteruese e energjisë deri në nivele alarmante. Kujdes prej kësaj mënyre e të jetuarit.
Gjatë historisë së njerëzimit, hasim në shumë shembuj, të cilët na mahnisin se nga e kanë marrë gjithë atë energji për të gjitha veprat madhështore që kanë bërë, e të cilat kanë lënë gjurmë të pa shlyera për shekuj me radhë?
Çfarë thotë shkenca?
Harxhimi i energjisë nga këndvështrimi fiziologjik – çdo angazhim kërkon energji mendore, emocionale, ose fizike. Në këtë kuptim, pavarësisht qëllimeve të larta, gjatë përpjekjeve, energjia harxhohet.
Rritja e energjisë nga këndvështrimi motivues dhe shpirtëror – pra angazhimi për qëllime të larta, krijon një efekt të kundërt me harxhimin e energjisë. P.sh. pasioni dhe kuptimi i thellë i asaj çfarë jemi duke punuar, vepron si një burim energjie që mbush bateritë.
Gjendja kur jemi plotësisht të përqendruar në diçka me kuptim, mund të jap energji në vend që të konsumojë.
Dopamina dhe shpërblimet psikologjike nga përmbushja e qëllimeve të rëndësishme, mund të rrisin energjinë.
Në nivel të jashtëm, energjia harxhohet, por në nivel të brendshëm, qëllimet e larta mund të transformojnë këtë proces në një cikël pozitiv ku ndjenja e qëllimit rimbushë energjinë.
Niveli i lidhjes emocionale me qëllimet dhe aftësia për të menaxhuar burimet tona personale, bëjnë të mundur shkëmbimin dinamik midis konsumit dhe rigjenerimit të energjisë.
Pyetja e madhe:
Çfarë do të bësh tani kur e kuptove këtë formulë ‘magjike’ që Zoti ua ka mundësuar vetëm atyre me qëllime të larta?
‘Kur zemra jote është e lidhur me All-llahun, asgjë në këtë botë nuk mund të të lë pa fuqi’
Imam Aliu – r.a.
‘Ai që ka një PSE për të jetuar, mund të duroj çfarëdo SI’
Friedrich Nietzsche
Vehbi Zeqiri
Ekspert i Zhvillimit Personal, Lidershipit, Inteligjencës Emocionale
Me përvojë prej më shumë se 30 vite në pozita udhëheqëse








