Kanada – Një person me sëpatë sulmon besimtarët në xhami

Xhamia Dar Al-Tawhid në Mississauga

Një person në Mississauga të Kanadasë, ka spërkatur gaz lotsjellës ndaj atyre që po faleshin në xhaminë Dar Al-Tawhid dhe donte t’i sulmonte ata me sëpatë të shtunën.

Imami i xhamisë, Ibrahim Hindy tha se një sulmues me gaz lotsjellës dhe sëpatë u ndalua para se të mund të lëndonte ata që po përgatiteshin për namazin e sabahut.

Hindy vuri në dukje se askush nga besimtarët nuk u lëndua, por shumë njerëz u ndikuan nga gazi lotsjellës.

Policia e Qarkut Peel njoftoi se sulmuesi u arrestua.

Këtë sulm e dënoi kryeministri kanadez Trudeau me anë të këtij reagimi:

“Sulmi ndaj xhematit në Qendrën Islamike Dar Al-Tawhid është tepër shqetësues. Unë e dënoj fuqishëm këtë dhunë – e cila nuk ka vend në Kanada – dhe e kam mendjen tek komuniteti sot. Dua të përshëndes edhe guximin e atyre që ishin atje këtë mëngjes,” tha ai.