Kancelari gjerman, Friedrich Merz, është zotuar për vazhdimin e mbështetjes së fortë për Ukrainën në luftën e saj me Rusinë, përpara samitit të ardhshëm të BE-së në Bruksel, transmeton Anadolu.
“Detyra tani është t’i paraqesim Rusisë qëndrimin e përbashkët të Evropës, Ukrainës dhe SHBA-së dhe ta përfundojmë këtë luftë. Nuk do të lë asnjë dyshim se është qëllimi i palëkundur i qeverisë sime ta mbështesë Ukrainën për aq kohë sa të nevojitet”, tha Merz gjatë një seance pyetje-përgjigje në parlamentin gjerman në Berlin.
“Ne nuk do t’i përsërisim gabimet e vitit 2014”, shtoi ai, duke theksuar se nuk mund të ketë plan paqeje pa garanci sigurie, duke iu referuar aneksimit nga Rusia të Gadishullit të Krimesë, i cili ishte pjesë e Ukrainës.
Merz theksoi se siguria e Evropës është e lidhur “në mënyrë të pandashme” me fatin dhe sigurinë e Ukrainës.
“Ne duam armëpushim dhe paqe në Ukrainë sa më parë dhe gjithashtu biem dakord se vetëm një plan paqeje i balancuar mund të sjellë paqe afatgjatë për Ukrainën dhe rrjedhimisht për të gjithë Evropën. Aktualisht po dëshmojmë një momentum të madh diplomatik në rrugën drejt një procesi paqeje”, tha ai.
Merz përsëriti se Ukraina duhet të jetë në gjendje të mbrohet kundër sulmeve ruse dhe të ketë “garanci të besueshme sigurie” si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme paqeje në të ardhmen.
“Mesazhet që po dërgojmë nga Konferenca e Berlinit janë të qarta. Së pari, paqja e qëndrueshme nuk mund dhe nuk duhet të arrihet në kurriz të Ukrainës ose të sigurisë evropiane. Kjo gjithashtu do të thotë se Ukraina nuk duhet të detyrohet të bëjë lëshime territoriale të njëanshme dhe të papranueshme”, tha ai.
“Së dyti, Ukraina duhet të vazhdojë të jetë në gjendje të mbrohet në mënyrë efektive kundër sulmeve të ardhshme ruse. Për këtë, i nevojiten forca të armatosura të forta të sajat dhe garanci të besueshme sigurie nga partnerët. Dhe për këtë pikë do të thosha se kemi bërë përparim të konsiderueshëm në Konferencën e Berlinit të dielën dhe të hënën e kaluar,” shtoi Merz.





