Karakteri vs. Pushteti

Vehbi Zeqiri

Asgjë tjetër nuk e shkatërron karakterin e njeriut, më shumë se pushteti!

Pushteti ka një fuqi të mahnitshme…, ‘luan’ me karakterin e njeriut si ‘macja me miun’. 

Abraham Linkoln, në këtë drejtim njëherë pat thënë;

‘Pothuajse të gjithë njerëzit mund ta përballojnë fatkeqësinë, por nëse doni ta provoni karakterin e njeriut, jepini atij pushtet’

Atëherë, çfarë ndodhë me njeriun i cili ka pushtet?

Ndjenja e superioritetit mbi të tjerët, largon vëmendjen prej anës racionale të trurit dhe e zhvendosë në anën emocionale të tij, e sidomos tek emocionet negative si p.sh. egoizmi, hakmarrja, inati, xhelozia, krekosja, etj.

Veprimet të cilat merren nën afektin/ndikimin e emocioneve negative dhe në mungesë të anës racionale të trurit, janë dështime të vërteta për individin, por në shumicën e rasteve edhe për shoqërinë.

Çka nënkuptojmë me Pushtet?

Kur përmendet pushteti, vëmendja të gjithëve u shkon tek qeveritarët. Por, nuk është ashtu!? Në të gjitha fushat e jetës ka një lloj pushteti që kërkon vëmendjen dhe trajtimin tonë.

‘Çdo ndikim yni, në çfarë do forme,  tek një apo më shumë individë ka një dozë pushteti’ – Vehbi Zeqiri

Në vijim po i përmendim disa lloje të pushtetit të mundshëm që mund të mos ju shkoj mendja fare, si p.sh.:

  • Prindi ndaj fëmijëve të tij ndien një lloj pushteti,
  • Mësimdhënësi ndaj nxënësve/ studentëve të tij,
  • Burri ndaj gruas së tij dhe anasjelltas,
  • Punëdhënësi ndaj punëmarrësve
  • Prijësi fetar ndaj pasuesve të tij
  • I pasuri ndaj të varfrit
  • I dituri ndaj të paditurit, etj.

Nëse pushteti ia mundëson individit të qeverisë, sundoj, dhe përcaktoj, atëherë të gjitha këto pushtete do të ishin shumë të rëndësishme dhe të mirëseardhura vetëm nëse shfrytëzohen drejt, me urtësi, dhe me dozë të duhur (jo të tepruar).

Realiteti ka treguar që kjo dozë është tejkaluar prej shumicës së tyre, që rrjedhimisht nënkupton dëmtim të karakterit të atyre që e kanë tejkaluar dozën e pushtetit ndaj të tjerëve.

Kush vrapon pas marrjes së Pushtetit?

Njerëzit me vlera të ulëta morale dhe etike e që nuk kanë kontribuar fare për familjen dhe shoqërinë, janë të predispozuar të kërkojnë dhe marrin pushtet, që t’i përmbushin zbrazëtitë e tyre.

Ndërsa, njerëzit me vetëdije të lartë, gjithmonë përgatiten me vlera universale njerëzore para se të marrin çfarëdo lloj përgjegjësie apo pushteti, që ta ruajnë karakterin e tyre. Ata gjithashtu këshillojnë të tjerët se si të ruhen prej ‘grackës’ së pushtetit.

Ndër këshillat më të rëndësishme që mund t’i transmetojmë tek të tjerët qëndrojnë në faktin vijues:

‘Asnjë pushtet nuk është i përhershëm’, dhe padyshim që një ditë apo tërë jetën ata do të përballen me pasojat e veprimeve të tyre

Si ta ruajmë karakterin prej Pushtetit?

Pasi pushteti qenka tejet i përkohshëm, atëherë cilësitë që ruajnë karakterin dhe personalitetin tonë janë: modestia, thjeshtësia, sakrifica, transparenca, empatia, lidershipi, urtësia, komunikimi, dhe profesionalizmi.

Në baza të rregullta, ndoshta edhe ditore, kemi nevojë t’i rishikojmë dhe vlerësojmë veprimet tona, por edhe të marrim mendimin prej të tjerëve që janë afër nesh, të cilët medoemos duhet ta shprehin mendimin e tyre lirshëm në lidhje me përdorimin e mirë apo të keq të pushtetit që kemi

Çka më tutje?

Bëjeni pushtetin tuaj të këndshëm, të drejtë, dhe progresiv për ju dhe për të tjerët. Frytet e ëmbla do t’i vilni dhe shijoni më vonë.

……………………….

Nëse e keni lexuar me vëmendje këtë artikull deri këtu, nuk ka dyshim që jeni të interesuar ta ruani karakterin tuaj prej pushtetit, prandaj vetëm ecni para dhe ndihmoni ata të cilët janë më të dobët se ju në aspekte të ndryshme.

Ndikimi i juaj pozitiv, në jetën e të tjerëve tregon gjithçka për ju!?

Vehbi Zeqiri 

Në pozita udhëheqëse për më shumë se 30 vite

Ekspert për lidership dhe inteligjencë emocionale

‘Fondacioni për Lidership dhe Avancim Personal’