Kartat “eSIM”: Si Gaza u furnizua me lidhje interneti dhe telefoni gjatë ndërprerjes së komunikimit

Motrat egjiptiane Mirna dhe Yara El Helbawi filluan fushatë për të mbledhur dhe dërguar kartela eSIM për njerëzit në Gaza

Të premten në mbrëmje, gazetarja Hind Khoudary po merrte pjesë në një konferencë të rëndësishme për media në spitalin Shifa, institucioni më i madh mjekësor i Gazës, kur zbuloi se telefoni i saj celular nuk kishte mbulim interneti.

Në fillim, ajo mendoi se çështja kishte të bënte me ambientet e spitalit, veçanërisht pasi autoritetet izraelite kishin pretenduar vetëm disa orë më parë se kompleksi i gjerë mjekësor po përdorej si bazë nga grupi palestinez Hamas.

Megjithatë, shpejt u bë e qartë se kishte një ndërprerje të plotë të komunikimit në gjithë Rripin e Gazës – të telefonave dhe internetit – e gjithë kjo ndërsa bombat izraelite binin në errësirën e natës.

Khoudary, si miliona palestinezë të tjerë në enklavën e rrethuar, ishte e frikësuar nga më e keqja, pasi ishin shkëputur plotësisht nga të dashurit e tyre.

“Isha e tmerruar sepse nuk dija asgjë për familjen time. Gjithçka që mund të dëgjoja ishin shpërthime të pandërprera dhe ne nuk mund ta dinim se ku po ndodhte kjo”, tha Khoudary, e cila ka punuar me Anadolun që nga shpërthimi i konfliktit të fundit më shumë se tre javë më parë.

Ndërsa nata kalonte, Gaza bëri jehonë me tingujt rrëqethës të shpërthimeve të vazhdueshme. Dritat e kuqe vazhduan të shpërthejnë në qiellin e errët, duke e kthyer atë në një portokalli të frikshme dhe duke e mbuluar ajrin me tym.

Ndërprerja e komunikimit la mbi 2 milionë njerëz të izoluar, pa asnjë kontakt me njëri-tjetrin dhe botën e jashtme.

Khoudary, përdoruese aktive e rrjeteve sociale “X” dhe “Instagram” me mijëra ndjekës, nuk kishte si t’i tregonte botës se çfarë po përjetonin miliona banorë të Gazës, diçka që ajo e ka bërë me guxim dhe profesionalizëm të jashtëzakonshëm çdo ditë.

Teknologjia, megjithatë, ofroi një rrugëdalje, pasi Khoudary pranoi një “eSIM” nga shoqja e saj, shkrimtarja dhe aktivistja egjiptiane Mirna El Helbawi.

Karta eSIM u jep përdoruesve mundësinë për të aktivizuar planin e të dhënave të një rrjeti celular pa pasur kartë fizike SIM.

Shërbimet e internetit u rivendosën në Gaza pothuajse 48 orë më vonë, por janë ende të çrregullta dhe jo të besueshme.

Khoudary tha që lidhjet vazhdojnë të aktivizohen dhe fiken dhe kjo është arsyeja pse ajo është mbështetur në eSIM-in e saj.

“eSIM-ët janë dëshmuar shumë të rëndësishëm në lidhjen e palestinezëve me botën”, tha ajo.

Një iniciativë “nga njerëzit për njerëzit”

Mirna dhe motra e saj Yara El Helbawi ishin midis aktivistëve në mbarë botën që kanë kërkuar mënyra për të ndihmuar në rivendosjen e komunikimeve për palestinezët në Gaza.

Si shumë të tjerë, ato fillimisht kërkuan që miliarderi Elon Musk të ofronte shërbimet e tij të internetit “Starlink” në Gaza.

Ndërsa ato thirrje nuk u morën parasysh dhe koha kalonte, ata filluan të kërkonin opsione të tjera.

Motrat Helbawi më pas menduan për shërbimet “roaming”.

Ato filluan me dy eSIM të blerë nga Evropa dhe ua dërguan dy personave që njihnin në Gaza.

“Pasi konfirmuam se po funksiononte, filluam të telefononim (për të kontrolluar) nëse njerëz të tjerë do të dëshironin të lidhnin njerëzit përmes eSIM-ëve”, tha Yara për Anadolu në një video-telefonatë.

Në vetëm 24 deri në 48 orë, motrat morën më shumë se 2.000 eSIM-ë si donacione, dhe ato deri më tani kanë qenë në gjendje të ofrojnë më shumë se 1.000 për njerëzit në Gaza.

Prioriteti fillestar ishin gazetarët dhe stafi mjekësor, por tani po ua japin të gjithëve.

“Kjo është tërësisht një iniciativë e bërë nga njerëzit. Është nga njerëzit për njerëzit dhe na riktheu besimin tek njerëzimi”, tha ajo.

Nëse Gazës po i privohen edhe nevojat më elementare humanitare, e pakta që mund të kenë njerëzit atje është ndonjë mënyrë apo mjet për t’i treguar botës se çfarë po ndodh me ta, tha Yara.

“Nëse atë që po ndodh tani e quajmë një lloj gjenocidi, shfarosje e një brezi të caktuar, një populli të caktuar ose qytetarë të caktuar, të paktën nëpërmjet telekomunikacionit, ngarkimit të storjeve, vendosjes në internet të asaj që po ndodh me të vërtetë, na jepet një mënyrë për të dokumentuar atë që ka ndodhur”, tha ajo.

“Tridhjetë vjet nga tani, njerëzit do të donin të dinin se çfarë ka ndodhur. Kjo është një pjesë e historisë që ne po jetojmë tani dhe të gjithë kanë të drejtë ta dokumentojnë këtë. Pa telekomunikacion, ne nuk do të jemi në gjendje ta bëjmë këtë”, shtoi Yara.

Njerëzit që përpiqen të “krijojnë zgjidhje” për banorët e Gazës

Bashar Shaheen, menaxher jordanez i marketingut që jeton në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad, po drejton një fushatë të ngjashme për të ofruar eSIM-ë për palestinezët.

“Fillova me një djalë në Rripin e Gazës. Unë i dërgoja eSIM-ët dhe ai ua shpërndante kolegëve dhe gazetarëve të tij. Dhe rrethi u bë më i madh”, tha ai për Anadolu në një intervistë me video.

eSIM-i i parë që mori ishte dhuruar nga një vajzë adoleshente, të cilin ai më pas e dërgoi në Gaza dhe ra në duart e një gazetari.

Shaheen tha se ata kanë marrë mijëra eSIM-ë si donacione deri më tani dhe tani po punojnë me katër persona për të kryer shpërndarjen.

Sipas tij, një çështje kryesore është se shumica e eSIM-ëve funksionojnë vetëm në pajisje të specializuara ose më të reja si iPhone X dhe 11 ose telefonat e rinj Android.

Gjithashtu, jo të gjithë dinë se si të aktivizojnë eSIM-ët, shtoi ai.

Ai tha se fillimisht kanë marrë eSIM-ë me “pako javore”, por tani njerëzit po dërgojnë më shumë me paketa mujore, “ku çdo person merr 30 GB të vlefshme për një muaj”.

Si Helbawi, ashtu edhe Shaheen pohuan se nuk pranojnë donacione në para.

Shaheen tha se njerëzit që kanë marrë eSIM-ë tani “e dinë se kanë një opsion” edhe nëse interneti është i ndërprerë.

“Tani ata (palestinezët) e dinë se kanë njerëz jashtë Gazës që do të bëjnë gjithçka për t’i ndihmuar. Ata do të krijojnë opsionet. Ata do t’u krijojnë zgjidhje për t’i tejkaluar këto probleme”, tha ai.