Katari: Forca stabilizuese e Gazës nuk duhet të mbrojë njërën palë në kurriz të tjetrës

Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, ka deklaruar se forca stabilizuese e propozuar që do të vendoset në Gaza sipas marrëveshjes së armëpushimit nuk duhet të mbrojë njërën palë në kurriz të tjetrës, transmeton Anadolu.

Duke folur për kanalin Al Jazeera me seli në Katar pas takimeve në Washington me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio dhe anëtarët e Kongresit të SHBA-së, Sheikh Mohammed tha se Katari ngriti shqetësime për shkeljet e përsëritura të armëpushimit në Gaza, si dhe paralajmëroi se shkelje të tilla i vendosin ndërmjetësit në një “pozitë të turpshme”.

“Ne nuk duam një forcë stabilizuese në Gaza që shërben për të mbrojtur një palë në kurriz të tjetrës”, tha ai.

Ai tha se është dakord me sekretarin Rubio për të “dyfishuar përpjekjet” për të arritur fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, duke theksuar se po bëhen përgatitje për një takim midis ndërmjetësve për të zhvilluar një kornizë të qartë për kalimin në fazën tjetër.

Sheikh Mohammed theksoi se situata situata humanitare në Gaza u shfaq në mënyrë të spikatur në diskutimet me anëtarët e Kongresit, duke përsëritur thirrjen e Katarit për hyrjen “pa kushte” të ndihmës humanitare në enklavë.

“Situata aktuale në Gaza e rrezikon marrëveshjen çdo ditë”, tha ai, duke paralajmëruar se shkeljet e vazhdueshme mund ta prishin plotësisht armëpushimin.

Lidhur me Sirinë, kryeministri i Katarit tha se Doha mbështet heqjen e sanksioneve të SHBA-së ndaj Damaskut për të mundësuar rimëkëmbjen ekonomike. Ai e përshkroi momentin si një mundësi për “të aktivizuar përpjekjet e përbashkëta për të mbështetur qeverinë siriane pas heqjes së sanksioneve”.

Ai gjithashtu riafirmoi mbështetjen e Katarit për “unitetin territorial të Sirisë dhe trajtimin e drejtë të të gjithë sirianëve”.