Katër anëtarë të një familjeje palestineze u vranë në orët e para të së dielës në fshatin Tamun, në jug të Tubas, pasi forcat izraelite qëlluan drejt një automjeti.
Sipas burimeve lokale, viktimat janë Ali Khaled Sayel Bani Odeh (37), bashkëshortja e tij Waad Othman Aql Bani Odeh (35) dhe dy fëmijët e tyre, Mohammed (5) dhe Othman (7). Dy fëmijët e tjerë të familjes, Mustafa (8) dhe Khaled (11), u plagosën lehtë nga copëza plumbash në kokë dhe fytyrë.
Shoqata e Gjysëmhënës së Kuqe Palestineze tha se forcat izraelite fillimisht penguan ekipet e saj të merrnin të plagosurit nga automjeti dhe i detyruan të largoheshin nga vendi i ngjarjes, ndërsa më vonë ekipet e saj morën trupat e katër viktimave dhe dy fëmijët e plagosur.
Ndërkohë, gjatë bastisjeve në fshat, forcat izraelite arrestuan Mahmoud Hassan Bani Odeh dhe djalin e tij Hasan (19), si dhe një tjetër të mitur, Yaman Hossam Bani Odeh (15). /mesazhi







