Kazakistan, fillon raundi i ri i bisedimeve për Sirinë

Delegacionet e Turqisë, Rusisë dhe Iranit u mblodhën në kryeqytetin e Kazakistanit, Nur Sultan për bisedimet e 16-ta të Astanas me temë Sirinë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Bisedimet e vendeve garantuese filluan në orën 06:00 sipas kohës lokale me takime dypalëshe dhe trepalëshe teknike.

Në bisedimet e Astanas me temë Sirinë të cilat zhvillohen për të 16-tën herë, delegacioni turk kryesohet nga drejtori i përgjithshëm për Sirinë në Ministrinë e jashtme, ambasadori Selçuk Ünal.

Delegacioni rus kryesohet nga përfaqësuesi i presidentit rus Vladimir Putin për Sirinë, Aleksandr Lavrentyev, delegacioni iranian nga këshilltari për çështjet politike i ministrit të jashtëm, Ali Asghar Khaji, delegacioni i Sirisë nga zv.ministri i jashtëm i regjimit sirian Ayman Susan ndërsa delegacioni i opozitës ushtarake nga Ahmet Tuma.

Në bisedimet ku merr pjesë edhe përfaqësuesi special i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Geir Pedersen marrin pjesë me statusin e vëzhguesit Jordania dhe Libani.

Në takimet që do të mbahen ditën e parë, temat kryesore të axhendës do të jenë masat e rritjes së besimit të tilla si situata aktuale në Siri, dërgimi i ndihmave humanitare, rifillimi i punimeve për Komitetin Kushtetues të Sirisë në Gjenevë, shkëmbimin e të burgosurve, lirimin e pengjeve dhe kërkimin e personave të humbur.

Përfaqësuesi i presidentit rus Vladimir Putin për Sirinë, Aleksandr Lavrentyev, në një deklaratë për gazetarët para takimit tha se në bisedimet në fjalë do të ketë një axhendë intensive.

Ai theksoi se do të zhvillojnë iniciativa për fillimin e një dialogu konstruktiv mes palëve në Siri. “Do të bisedojmë gjerësisht për procesin politik në Siri. Me përfaqësuesin special të OKB-së për Sirinë, Geir Pedersen, do të diskutojmë kryesisht Komitetin Kushtetues të Sirisë që ka ndaluar punimet në Gjenevë. Sipas nesh ka kushte të nevojshme për zhvillimin në mënyrë të suksesshme të Këshillit të 6-të të Komitetit Kushtetues”, tha Lavrentyev.

“Në bisedimet e 16-ta në Astana synojnë të bëjnë thirrje të hapur për komunitetin ndërkombëtar që t’i japë fund presionit politik ndaj Sirisë. Tashmë duam të drejtohemi në aktivitetet për të arritur stabilitetin e situatës në Siri dhe rritjen e ekonomisë së saj”, tha Lavrentyev.

Krahas bisedimeve ku seanca kryesore do të mbahet nesër, parashikohet që mes delegacioneve të vendeve garantuese, komisionerit të lartë të OKB-së për refugjatët dhe përfaqësuesve të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, të mbahet edhe një grup pune lidhur me të ndaluarit me forcë.

Bisedimet në Astana me temë Sirinë filluan në vitin 2017 nën garantimin e Turqisë, Rusisë dhe Iranit me qëllim për të gjetur zgjidhje për krizën së Sirisë. /aa