Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) i ka bërë thirrje ushtrueses së detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, që pas përfundimit të konsultimeve me subjektet politike parlamentare të caktojë sa më parë datën e mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit.
Në reagimin e tij, KDI thekson se pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit ka nisur afati kushtetues për konstituimin e legjislaturës së re, duke vlerësuar se afati 30-ditor është kufiri maksimal kushtetues dhe nuk duhet të shndërrohet në një periudhë pritjeje dhe pasigurie institucionale.
Sipas KDI-së, edhe pse afati ende nuk ka përfunduar, ushtruesja e detyrës së Presidentes ka përgjegjësi institucionale që të shmangë vonesat e panevojshme dhe të sigurojë nisjen në kohë të procesit të konstituimit të Kuvendit.
Instituti kujton se përvojat e kaluara kanë dëshmuar se vonesat në konstituimin e institucioneve mund të krijojnë bllokada politike dhe të dëmtojnë funksionimin normal të shtetit.
KDI kërkon që Haxhiu të caktojë datën e seancës konstituive menjëherë pas përfundimit të konsultimeve me partitë parlamentare, në mënyrë që procesi të mos afrohet pa nevojë me afatin kushtetues të 7 gushtit.
Po ashtu, organizata kërkon që ushtruesja e detyrës së Presidentes t’u bëjë thirrje publike subjekteve politike të marrin pjesë në mënyrë konstruktive në seancën konstituive, me qëllim që ajo të përfundojë me konstituimin e Kuvendit dhe jo të mbetet vetëm një procedurë formale.
Në fund, KDI kërkon që brenda 48 orëve publiku të informohet për përfundimin e konsultimeve dhe për kohën kur do të shpallet data e seancës konstituive, duke theksuar se konstituimi i Kuvendit është parakusht për formimin e institucioneve të reja dhe rikthimin e funksionimit të plotë të rendit kushtetues.







