Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Shqipëria: Jemi në solidaritet me BE-në dhe Mbretërinë e Bashkuar pas “aktiviteteve...

Shqipëria: Jemi në solidaritet me BE-në dhe Mbretërinë e Bashkuar pas “aktiviteteve keqdashëse kibernetike të Rusisë”

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë ka deklaruar se Shqipëria qëndron në solidaritet me Bashkimin Evropian (BE) dhe Mbretërinë e Bashkuar në përgjigje të “aktiviteteve keqdashëse kibernetike të Rusisë”, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë të publikuar nga ministria thuhet se Shqipëria është plotësisht e vetëdijshme për rreziqet që paraqesin kërcënimet kibernetike dhe hibride të sponsorizuara nga shtetet.

“Shqipëria qëndron në solidaritet të plotë me Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar në përgjigje të aktiviteteve keqdashëse kibernetike të Rusisë dhe mbështet masat e koordinuara të ndërmarra për të mbajtur përgjegjës autorët e tyre. Ne dënojmë me forcë sulmet kibernetike dhe aktivitetet e tjera keqdashëse në hapësirën kibernetike që synojnë infrastrukturën kritike, institucionet publike, proceset demokratike dhe sigurinë e vendeve aleate dhe partnere. Veprime të tilla janë të papranueshme. Ato minojnë stabilitetin ndërkombëtar, shkelin normat e sjelljes së përgjegjshme të shteteve në hapësirën kibernetike dhe përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë tonë kolektive” thuhet në deklaratë.

Gjithashtu theksohet se edhe vetë Shqipëria ka qenë objekt i sulmeve të rënda kibernetike kundër infrastrukturës kritike kombëtare. “Për këtë arsye, ne riafirmojmë angazhimin tonë për forcimin e qëndrueshmërisë kibernetike, rritjen e gatishmërisë dhe thellimin e bashkëpunimit me Aleatët dhe partnerët për të penguar, parandaluar dhe për t’iu përgjigjur aktiviteteve të tilla”, thekson deklarata.

Sipas deklaratës, si aleate e NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, plotësisht e harmonizuar me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian, Shqipëria mbetet e përkushtuar për të mbështetur përpjekjet kolektive për mbrojtjen e një hapësire kibernetike “të sigurt, të qëndrueshme, të hapur dhe të bazuar në rregulla”.

BE-ja ka deklaruar se disa vende anëtare, përfshirë Francën, Gjermaninë, Poloninë, Administratën Greke Qipriote, Holandën, Austrinë, Sllovakinë, Rumaninë dhe Finlandën, janë prekur nga aktivitetet kibernetike të lidhura me Rusinë.