KEK: Pesë njësi gjeneruese në operim për të përballuar rritjen e konsumit

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se është në gatishmëri të plotë operative, duke vënë në funksion të gjitha kapacitetet e disponueshme prodhuese për të garantuar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike për qytetarët, në kushtet e rënies së temperaturave dhe rritjes së konsumit.

Sipas njoftimit zyrtar të KEK-ut, që nga data 19 dhjetor 2025, korporata ka rritur angazhimin operacional në nivel maksimal, duke operuar aktualisht me pesë njësi gjeneruese.

Si rezultat i këtij angazhimi, prodhimi ditor i energjisë elektrike po arrin rreth 20,640 MWh, duke kontribuar ndjeshëm në stabilitetin e furnizimit dhe në qëndrueshmërinë e sistemit elektroenergjetik të Republikës së Kosovës.

KEK sqaron se në kushte normale operimi, zakonisht funksionon me katër njësi gjeneruese, ndërsa një njësi mbahet si rezervë e nxehtë për nevoja teknike dhe mirëmbajtje periodike.

Megjithatë, pavarësisht moshës së avancuar të stabilimenteve, falë angazhimit të vazhdueshëm të stafit teknik dhe përkushtimit të menaxhmentit, është bërë e mundur operimi paralel me pesë njësi, me përjashtim të dy ndërhyrjeve të shkurtra teknike në një nga njësitë.

Nga KEK theksojnë se korporata mbetet e përkushtuar që të mbajë në operim sa më shumë kapacitete prodhuese që është e mundur, gjithmonë duke respektuar standardet e sigurisë teknike dhe stabilitetit operacional.

“Qëllimi ynë kryesor është garantimi i një prodhimi të qëndrueshëm të energjisë elektrike dhe siguria energjetike e qytetarëve, veçanërisht në periudhat me kërkesë të rritur”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.